Aktuale

Mashtrimi i dekadës!

Mashtrimi i dekadës!
13 tetor 2017 • 08 : 01 Foto: Driton Bublaku
Arbesa Ibrahimi

Po bëhet gati një dekadë prejse liderët politikë të Kosovës kanë filluar ta premtojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Madje disa herë u tha se liberalizimi është “çështje muajsh”. Por, të gjitha këto shpresa i ka përmbysur para dy ditësh presidenti Thaçi, i cili i kërkoi homologut të tij Ilir Meta shtetësi të Shqipërisë për kosovarët. Ndërsa analistët politikë thonë se nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër, shkruan sot, gazeta Zeri.

Hashim Thaçi ishte zgjedhur dy herë kryeministër i Kosovës me njërin nga premtimet kryesore në fushata zgjedhore, përpos punësimit, se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian do të kryhet shumë shpejt.

Një avaz të tillë të premtimeve Thaçi e kishte nisur në vitin 2010, në atë kohë si lider i PDK-së, duke u zotuar se kosovarët do të lëviznin lirshëm drejt BE-së disa muaj pas formimit të Qeverisë. Një rrugë të tillë të Thaçit e ndoqën edhe politikanët e tjerë.

Të tillë ishin ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj, si dhe ministri i tanishëm i MPJ-së, Behgjet Pacolli.

Mirëpo pavarësisht se as pas 7 vjetëve zotimet për viza ende nuk i ka realizuar, Hashim Thaçi para pak ditësh ofroi një plan krejtësisht tjetër për t’i pajisur qytetarët me viza, duke kërkuar nga Shqipëria që t’ua japë qytetarëve të Kosovës shtetësinë në mënyrë që ata të udhëtojnë lirshëm.

E një gjë të tillë njohësit e proceseve politike e shohin si tentim për ta shfajësuar veten para qytetarëve për dështimin e realizimit të premtimeve të bëra gjatë viteve. Sipas tyre, nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër.

Merja: Nuk duhet fajësuar BE-ja për mosliberalizim

Por, pavarësisht kësaj, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar sërish që Kosova t’i plotësojë dy kriteret e mbetura (ratifikimi i Demarkacionit dhe luftimi i krimit e i korrupsionit), në mënyrë që të arrihet liberalizimi.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Nataliya Apostolova, gjatë ditës së djeshme ka ripërsëritur edhe një herë kushtet e Kosovës për ta arritur liberalizimin.

“Ne jemi kemi këtu me të dyja kushtet dhe kjo është e vërteta”, u shpreh ajo gjatë ditës së djeshme, me ç’rast tha se BE-ja nuk heq dorë nga demarkimi i kufirit me Malin e Zi.

Edhe njohësit e çështjeve të liberalizimit konsiderojnë se heqja vizave nuk mund të vijë pa i përmbushur dy kriteret e mbetura. Albana Merja, njohëse e këtyre proceseve, ka thënë se nga e tërë kjo zvarritje më së shumti pësojnë qytetarët e Kosovës.

“Gjithsesi fakt është që ky proces akoma nuk është përmbyllur dhe qytetarët e Kosovës janë ata që vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e mungesës së lëvizjes së lirë”, ka deklaruar ajo.

Merja më tej ka thënë se nuk duhet fajësuar assesi Bashkimi Evropian për moskryerjen e detyrave. Përkundrazi, sipas saj, duhet të bëhet e pamundur që të realizohen edhe dy kriteret e fundit për heqjen e vizave.

Kraki: Deklaratat e Thaçit, joserioze dhe të dëmshme

Ndërkaq Nezir Kraki, ligjërues i Politikave të BE-së në Paris (Universiteti Paris Est), ka konsideruar se deklaratat e fundi të Thaçit lidhur me liberalizimin e vizave nuk janë aspak serioze.

“Një deklaratë e tillë më duket sa joserioze, aq edhe e dëmshme për procesin tashmë të komplikuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Zoti Thaçi dhe të gjithë drejtuesit politikë të Kosovës duhet që së pari ta pranojnë se kanë dështuar në këtë drejtim për të mos thënë kanë gënjyer opinionin dhe pastaj të tregohen pragmatikë me këtë çështje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kraki më tej, duke komentuar idenë e Thaçit që qytetarët të pajisen me shtetësi nga Shqipëria, ka thënë se nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër.

Madje, sipas tij, po që se eventualisht do të realizohej një ide e tillë, atëherë vetë Shqipëria mund të pësonte nga një gjë e tillë.

“Edhe nëse pajisemi të gjithë me pasaporta të Shqipërisë, duke qenë banorë të Kosovës nuk kemi të drejtë të përfitojmë nga regjimi pa viza. Dhe në rast se Shqipëria bie në këtë ‘grackë patriotike”, atëherë BE-ja mund ta rinegociojë marrëveshjen e vizave me Tiranën dhe të fusë klauzola specifike siç është bërë me Serbinë”, ka shtuar ai.

Gecaj: Për interesa personale janë gati të na kthejnë me dekada mbrapa

Nga ana tjetër, Bajram Gecaj nga partia opozitare LDK, duke komentuar deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se për interesa personale të individëve të caktuar Kosova po rrezikon të kthehet vite përpara sa i përket liberalizimit.

Kurse profesori i Shkencave Politike, Dashnim Ismajli, duke komentuar deklaratat e fundit të presidentit Thaçi, ka thënë se ai po tenton që të shfajësohet nga gabimet që ka bërë përgjatë viteve.

“Mendoj se presidenti përmes deklarimeve të fundit po mundohet të shfajësohet para opinionit publik për dështimet dhe papërgjegjshmërinë politike të tij që nga 2007-a e tutje. Presidenti kishte premtuar jo vetëm liberalizimin e vizave, mirëpo edhe zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e shtetit të qëndrueshëm për afate të shkurtra kohore”, ka deklaruar ai.

Kurse Arton Demhasaj, njohës i proceseve politike (nga organizata “Çohu”), ka konsideruar se meqë Thaçi nuk ka mundur ta realizojë premtimin për vizat përgjatë viteve, tash po tenton të arsyetohet para qytetarëve.

“Për shtatë vjet sa ka qenë në qeverisje z. Thaçi nuk ka mundur ta realizojë këtë premtim dhe tash para qytetarëve nuk ka si të arsyetohet më dhe normalisht që tash duhet ta fajësojë Bashkimin Evropian”, ka theksuar ai.

 

 

 

 

© zëri.info