Pacolli takon diplomaten e Luksemburgut, kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave

Aktuale October 12, 2017 - 15:34

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, priti në një takim të ngarkuarën e Përkohshme me Punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert.


Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe është kërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pacolli rikonfirmoi bashkëpunimin dhe ka shprehur nevojën për shikimin e mundësive për rritjen dhe zgjerimin edhe në fusha të tjera të bashkëpunimit.

Kosova sipas tij, është shtet i ri, i cili ka nevojë për miq dhe përkrahje, siç e ka nga Luksemburgu dhe miqtë e tjerë perëndimor.

“Kërkojmë mbështetjen në lehtësimin e procedurave të pajisjes me viza, si dhe kushteve për liberalizim të vizave për qytetarëve të Kosovës. Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe kjo nuk duhet ta pengojë vazhdimin e procesit të liberalizimit të vizave, pasi që qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli, e ka njoftuar diplomaten nga Luksemburgu se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar intensivisht edhe për mënyrat se si të prezantohen dhe promovohen potencialet dhe vlerat e Kosovës në marrëdhënie me jashtë.

Po ashtu, është kërkuar edhe rritje e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.


E ngarkuara e Përkohshme me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Anne Dostert, e ka uruar fillimisht Pacollin për detyrën e re dhe ka shprehur përkrahjen e saj dhe të shtetit të Luksemburgut, duke shprehur zotimin për vazhdimin e mbështetjes së palëkundur nga ky shtet.

Kjo mbështetje, sipas diplomates nga Luksemburgu do të vlejë edhe për përkrahjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që të vazhdojë bashkëpunimi tanimë i vënë në fushën ekonomike, arsim dhe shëndetësi”, thuhet në njoftim.