Aktuale

Konjufca: Opozita do ta ketë rolin vendimtar në proceset që po kalon Kosova

Konjufca: Opozita do ta ketë rolin vendimtar në proceset që po kalon Kosova
12 tetor 2017 • 14 : 21 Foto: Driton Bublaku

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se LVV ka për qëllim që të jetë një opozitë e fortë, e cila do t'i ndihmojë demokracisë. Në një takim me shefen e zyrës së BE-së,  Konjufca ka thënë se opozita do ta ketë rolin vendimtar për proceset në të cilat do të kalojë Kosova, raporton “Zeri.info”.

"Duke qenë në opozitë, synojmë ta bëjmë një opozitë të fuqishme që t'i koontribuojmë demokracisë", ka deklaruar ai gjatë takimit të sotëm me shefen e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova.

Ai më tej, ka thënë se BE-ja ka luajtur rol në zhvillimet e Kosovës, porse sipas tij, BE-ja nuk ka punuar aq sa kanë pritur qytetarët, raporton zeri.info.

"Ne e dimë që Kosova ka shumë sfida dhe rolin e rëndësishëm që e ka BE-ja në të gjitha zhvillimet në Kosovë. Prej kur ju jeni të pranishëm me misionin tuaj në Kosovë qe 9 vite, ju keni dhënë kontributt të çmueshëm në disa fusha", ka thënë Konjufca.

Porse sipas tij, pritjet e qytetarëve ndaj BE-së kanë qenë shumë më të mëdha.

"Por është e qartë që pritjet e qytetarëve kanë qenë shumë më të mëdha për punën tuaj", ka theksuar ai.

Ai më tej, ka folur edhe për atë që pesë shtetet e BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet. E kjo, sipas tij, ka stopuar procesin.

"Mosnjohja e këtyre shteteve ka stopuar shumë, paraqet një pengesë serioze të integrimeve evropiane sa i përket Kosovës", është shprehur ai.

Më tej, Konjufca ka thënë se qeveritë e kaluara nuk kanë punuar aspak në pavarësimin e gjyqësorit.

"Problem serioz është edhe fakti që BE ka qenë i pranishëm dhe është marrë me reforma, mirëpo çdo raport që vjen (raport i progresit), kanë një kritikë sa i përket dimensionit të paanshmërisë së gjyqësorit. Pra, dy prej kritikave themelore që na vijnë janë ndikimi politik në gjyqësor dhe mosreformini i administraës publike. Këto janë dy shtyllat kryesore, për të cilat qeveritë e kaluara nuk kanë punuar fare", ka theksuar ai.

Ndërkohë, ka vlerësuar se Kosova është vonuar në implementimin e MSA-së.

"Ne e dimë që Koosva ka shumë obligime dhe na presin shumë punë sa i përket implementimit të MSA-së. Ne jemi vonuar shume në këtë aspekt dhe qeveria e kaluar ka pasur shumë ngecje", ka theksuar deputeti i LVV-së.

Ndërkaq, duke folur për qeverinë e re, Konjufca ka thënë se ajo do ta ketë shumë të vështirë që t'i çojë përpara proceset, pa opozitën.

"Kemi të bëjmë me një qeveri e cila ka numrin minimal. Prandaj, te gjitha projektet do të varen nga opozita. Pra, opozita do ta ketë rolin vendimtar në proceset që po kalon Kosova. Andaj, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të mos i bëjë gabimet e qeverisë së kaluar", ka nënvizuar ai. /Zeri

 

Image
Image

© zëri.info