Gjermania kërkon të punohet për liberalizimin e vizave

Aktuale October 12, 2017 - 12:28

Ministri i Diasporës njëherësh edhe zëvendëskryeminstri, Dardan Gashi, priti ambasadorin gjerman, Christian Heldt, me të cilin bisedoi rreth përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave dhe kompletimin e këtij procesi të rëndësishëm për ecurinë e shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Mbështetja e Gjermanisë si në të kaluarën, tash dhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjeve të tjera me rëndësi, si investimet strategjike, është e domosdoshme, dhe kosovarët janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës për këtë”, ka thënë Gashi, transmeton "Zeri.info".

Ndërkaq, ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka kërkuar sa më parë të funksionalizohet aspekti ligjor i investimeve strategjike, që të nisë ky proces.

“Liberalizimi i vizave është një kapitull që duhet të mbyllet sa më shpejt, në të mirë të kosovarëve, por institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin detyrimet e dala nga ky proces. Ka investitorë gjermanë që mund të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë. Përfshirja e diasporës kosovare që jeton në Gjermani në proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës, gjithashtu, është e rëndësishme”, ka thënë ambasadori Heldt.