Ndërkombëtarët mohojnë se premtuan 'favore' në këmbim të Speciales

Aktuale October 12, 2017 - 08:06
Zyrtarë të Ambasadës Amerikane, Britanike, Gjermane, Norvegjeze janë përgjigjur në pyetjet e gazetës “Zëri” nëse i kanë premtuar Kosovës favore në këmbim të Gjykatës Speciale ashtu siç deklaroi ditë më parë presidenti Thaçi

Bashkësia ndërkombëtare ka mohuar t’i ketë premtuar “favore” Kosovës në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale.

Ndonëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak ditësh deklaroi se Kosovës i ishte premtuar liberalizimi i vizave, krijimi i ushtrisë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare..., ambasadat e huaja në Kosovë kanë thënë se nuk janë në dijeni për një gjë të tillë.

LEXO EDHE: Thaçi kërkon rrugë 'B' për vizat, BE-ja ia përmend kriteret

Por pavarësisht kësaj, ndërkombëtarët kanë thënë se mbështesin Kosovën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare e po ashtu edhe në çështjet e tjera që presidenti Thaçi përmendi ditë më parë.

E pavarësisht deklaratave “sulmuese” të Thaçit kundrejt Gjykatës Speciale, ata mbeten optimistë se kjo Gjykatë do ta vendosë drejtësinë.

SHBA-ja, e përkushtuar për veprimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara

Të pyetur rreth këtyre deklaratave të Thaçit, zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë kanë thënë për “Zërin” se mbeten të përkushtuar për veprimin e suksesshëm të Speciales.

“Shtetet e Bashkuara mbesin tërësisht të përkushtuara për veprimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ne përshëndesim përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për të bashkëpunuar me Gjykatën. Bashkëpunimi i Kosovës me këtë proces do të jetë tregues konkret i parimit fundamental demokratik se sundimi i ligjit vlen barabartë për çdo qytetar”, thuhet në këtë përgjigje.

Më tej Ambasada ka theksuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Po ashtu, sipas tyre, SHBA-ja mbështet edhe krijimin gradual të ushtrisë (për të cilën Thaçi po ashtu tha se i ishte premtuar nga ndërkombëtarët).

“SHBA-ja është krenare me përkrahjen e saj të fuqishme për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë shumë viteve. Ne vazhdojmë të mbështesim një transformim gradual, profesional dhe transparent të FSK-së në një forcë të armatosur shumetnike në përputhshmëri me standardet e NATO-s, duke bërë amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës në konsultim me komunitetet e Kosovës”, potencohet më tej.

Britania e Madhe: Lidhur me Gjykatën Speciale nuk i kemi bërë premtime Kosovës

Ndërkaq nga Ambasada Britanike në Kosovë kanë thënë se ndërkombëtarët nuk i kanë premtuar asgjë Kosovës në këmbim të formimit të Gjykatës Speciale.

“Ne nuk i kemi bërë premtime Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale dhe nuk është e drejtë të pretendohet e kundërta. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare bazohet në kriteret specifike të anëtarësimit të organizatave individuale. Mbretëria e Bashkuar po punon për të mbështetur integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për “Zërin”.

Megjithëkëtë, Mbretëria e Bashkuar, sipas tyre, mbështet përpjekjet e presidentit Thaçi për pajtimin dhe për drejtësinë.

E më tutje në këtë përgjigje nënvizohet se Britania e konsideron si hap të rëndësishëm themelimin e kësaj Gjykate.

“Gjykata Speciale ishte përgjigjja e Kosovës ndaj supozimeve të Raportit të Martyt. Ishte një hap i rëndësishëm për të treguar gatishmërinë e Kosovës për të zbuluar të vërtetën për atë që ndodhi gjatë konfliktit”, thuhet në vazhdim.

Gjermania: Dhomat e Specializuara s’janë të lidhura me qëllime politike

Kurse Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka konsideruar se Dhomat e Specializuara paraqesin një rëndësi të madhe për Kosovën.

“Dhomat e Specializuara janë një institucion vendimtar gjyqësor brenda kornizës ligjore kosovare. Ato janë të rëndësishme për Kosovën në të drejtën e tyre sepse ato kontribuojnë në sundimin e ligjit në Kosovë. Ato nuk janë aspak të lidhura me qëllime politike jashtë mandatit të tyre specifik”, thuhet në përgjigjen e tyre drejtuar gazetës.

Kurse duke folur rreth krijimit të ushtrisë (për të cilën Thaçi po ashtu tha se i ishte premtuar Kosovës) Ambasada Gjermane theksoi se mbështet krijimin e saj, porse duke ndjekur Kushtetutën e Kosovës.

“Përcaktimi i mandatit dhe i strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës është vendim sovran i Kosovës. Megjithatë, çdo transformim duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara dhe në koordinim të ngushtë me partnerët e NATO-s”, thuhet më tej.

Norvegjia: Nuk jemi në dijeni për premtime

Ndërkaq Ambasada Norvegjeze në Kosovë ka thënë se pret që Gjykata Speciale ta vërë drejtësinë.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë një mandat të kufizuar dhe ne presim që ajo të sjellë drejtësi brenda këtyre parametrave. Gjykata është një nga disa institucione dhe mekanizma të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë tranzicionale për t’i trajtuar krimet e mundshme të luftës dhe keqbërjet gjatë luftës. Miratimi i Gjykatës nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe nga ana e Parlamentit të Kosovës ka treguar gatishmërinë e Kosovës, të cilën e mirëpresim, për t’i adresuar akuzat serioze të paraqitura në Raportin e Dick Martyt”, thuhet në përgjigjen e saj.

Mirëpo, më tej, Ambasada thotë se nuk është fare në dijeni se Kosovës i janë bërë premtime në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale.

Por pavarësisht se Thaçi kritikoi Specialen, Zyra për Informim e Ambasadës Norvegjeze ka konsideruar se presidenti ka qenë njëri prej atyre që e ka mbështetur këtë Gjykatë.

“Presidenti ka qenë një mbështetës i fortë i Gjykatës dhe mesazhet e tij të vonuara kanë pasur nuanca të rëndësishme. Ndonëse është e vërtetë, nga njëra anë, se ai ka shprehur zhgënjim të madh me fushëveprimin e kufizuar të Gjykatës, ai gjithashtu ka deklaruar qartë se ai e sheh Gjykatën si një mundësi për Kosovën dhe se ai nuk dëshiron të rihapë mandatin e Gjykatës”, potencohet më tutje.