Thaçi kërkon rrugë 'B' për vizat, BE-ja ia përmend kriteret

Aktuale October 12, 2017 - 07:51
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar homologut të tij Ilir Metës që t’u jepet shtetësia e Shqipërisë kosovarëve për të lëvizur lirshëm drejt BE-së, duke kërkuar kështu një rrugë “B” në mungesë të votimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Por, zyrtarë të Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë thënë për “Zërin” se Kosova duhet të tregojë rezultate në përmbushjen e kushteve të mbetura, duke ecur përpara me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke luftuar korrupsionin, shkruan sot Gazeta

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar një plan “B” për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, duke kërkuar ndihmë nga Shqipëria.

Në një takim me homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta, Thaçi i kërkoi atij që t’u jepet shtetësia e Shqipërisë qytetarëve nga Kosova, në mënyrë që, siç tha ai, të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, në mungesë të liberalizimit të vizave, shkruan tutje "Zëri".

Por Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar edhe një herë që Kosova t’i përmbushë kriteret e mbetura (demarkacionin dhe luftimin e krimit e të korrupsionit), në mënyrë që ta arrijë liberalizimin e vizave.

Nga ana tjetër, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë thënë se deklaratat e tilla nga krerët shtetërorë vijnë si rrjedhojë e mllefit, meqë Kosova është lënë anash nga bashkësia ndërkombëtare.

Por, ndonëse po pretendohet të gjendet një plan “B” për lirinë e lëvizjes, ata konsiderojnë se ky opsion i shprehur nga Thaçi nuk mund të jetë zgjidhje për të gjithë qytetarët.

BE: Kosova duhet të ecë përpara me Demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Meta që Shqipëria t’ua japë shtetësinë kosovarëve meqë Kosovës nuk po i mundësohet për të lëvizur lirshëm.

“Kam kërkuar nga presidenti Meta që kosovarëve, sidomos studentëve dhe biznesmenëve, t’u mundësohet që të kenë nënshtetësi të Shqipërisë në mënyrë që të lëvizin lirshëm”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo presidenti Meta nuk ka qenë i mendimit me Thaçin. Përkundrazi, ai ka konsideruar se një opsion i tillë nuk ofron zgjidhje.

Ndërkaq, duke komentuar deklaratat në fjalë kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk duhen mbetur të pashpresë për liberalizimin e vizave.

E pavarësisht deklaratave të presidentit Thaçi, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se Kosova duhet të punojë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Qeveria e re duhet ta gjejë një mënyrë për t’i përmbushur pritjet e qytetarëve të vet dhe liberalizimi i vizave është në krye të këtyre pritjeve. Prandaj, është esenciale që Kosova të tregojë rezultate në përmbushjen e kushteve të mbetura, duke ecur përpara me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke treguar përparim në regjistrin e të dhënave në rastet e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Kjo e fundit duhet të jetë një proces i vazhdueshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së në Prishtinë dhënë gazetës “Zëri”.

Qorrolli: Nëse s’ka liberalizim ndjenja nacionaliste do të rritet

Nga ana tjetër Vigan Qorrolli, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka konsideruar se deklarata e Thaçit që qytetarët të lëvizin duke marrë nënshtetësi nga Shqipëria ka ardhur si rezultat i mllefit që Kosova po lihet anash nga ndërkombëtarët.

“Deklarata e presidentit Thaçi dhe kërkesa e tij për homologun e tij shqiptar, Meta, duhet të lexohet baras me deklaratën lidhur me Gjykatën Speciale. E kjo lidhet ndaj një mllefi që presidenti Thaçi qe një kohë po e shpreh ndaj vendimit për mostrajtimin e duhur të Kosovës, mosshpërblimin e Kosovës, në radhë të parë me liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Në të kundërtën, nëse nuk ka viza sipas Qorrollit, atëherë do të ketë rritje të ndjenjës nacionaliste.

“Nëse nuk ka liberalizim të shpejtë të vizave, atëherë ndjenja nacionaliste do të rritet. Në qoftë se BE-ja është e ndarë sa i përket statusit të Kosovës dhe nuk ka vullnet për ta zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës dhe për t’i trajtuar qytetarët e Kosovës barabartë me qytetarët e shteteve të tjera, atëherë kërkesa e Thaçit është sigurisht një rritje e ndjenjës nacionaliste dhe kërkesë shumë e qartë që duhet të kalohet në planin ‘B’”, ka shtuar ai.

Mazreku: E pamundur që të gjithë qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga dyshtetësia

Ndërkaq Avni Mazreku, profesor i së drejtës evropiane, ka konsideruar se procesi i dyshtetësisë nuk mund t’ua ofrojë të gjithë qytetarëve të Kosovës lirinë e lëvizjes.

“Liberalizimi i vizave ose procesi i lëvizjes së lirë nuk realizohet përmes procesit të dhënies së dyshtetësisë. Procesi i dhënies së dyshtetësisë është kategori kushtetuese e Shqipërisë. Ajo është kategori ligjore, por unë mendoj që është e pamundur që gjithë qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga procesi i dyshtetësisë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkaq ka thënë se procesi për heqjen e vizave aktualisht është i bllokuar.

Andaj, sipas tij, ai mund të zhbllokohet vetëm nëse ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit, në mënyrë që të kalohet nëpër fazat e tjera.

Haxhiu: Thaçi po synon t’i përmirësojë gabimet

Kurse deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka konsideruar se Thaçi po synon që t’i përmirësojë gabimet e bëra përgjatë viteve.

“Që nga fillimi i javës Thaçi po sillet në mënyrë të çuditshme. Siç kemi theksuar gjithnjë, ai ka bërë shumë gabime gjatë karrierës së tij politike, kurse tani po mundohet që me deklarata të tilla t’i pastrojë gabimet e tij”, ka deklaruar ajo.

Ajo më tej ka thënë se LVV-ja e ka kundërshtuar qysh në fillim Gjykatën Speciale dhe ka synuar bashkëpunim me Shqipërinë, ndërkohë që Thaçi po deklarohet tash rreth këtyre çështjeve.

Andaj sipas saj, Hashim Thaçi është ai që duhet t’i sqarojë deklaratat e tij dhe të japë përgjegjësi për veprimet e tij në të kaluarën.

Ndërkaq politologu Ramush Tahiri ka thënë se dhënia e shtetësisë është bërë edhe nga vendet e tjera të rajonit (Greqia, Bullgaria, Maqedonia), jo vetëm nga Shqipëria.

Porse, sipas Tahirit, një gjë të tillë nuk e lejon BE-ja edhe nëse Shqipëria e pranon një gjë të tillë.