Hoxha: Demarkacioni, kriter i padiskutueshëm për BE-në

Aktuale October 11, 2017 - 08:18
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se demarkacioni me Malin e Zi është kriter i padiskutueshëm nga Bashkimi Evropian dhe kjo çështje nuk ka kthim mbrapa

Bashkimi Evropian (BE) e ka përcaktuar demarkacionin me Malin e Zi si kriter të padiskutueshëm për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe kjo çështje nuk ka kthim mbrapa. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, duke shtuar se demarkimi i kufirit mes dy vendeve duhet të përfundojë, si dhe të luftohet korrupsioni për t’u marrë vendimi për heqjen e vizave.

Ajo thotë se për këtë çështje duhet të ketë konsensus nacional në Kosovë, i cili duhet të ekzistojë pavarësisht dallimeve partiake.

“Agjenda e integrimit evropian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të jenë prioritet dhe të gjithë të kemi një konsensus të brendshëm. Klasa politike në vend, kur bëhet fjalë për interesin shtetëror dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit, duhet të dalin përtej petkut partiak”, ka thënë Hoxha mes të tjerash gjatë intervistës për “Zërin”, duke shtuar se liberalizmi i vizave do të përfundojë atëherë kur Kosova t’i kryejë “detyrat e shtëpisë”.

Zëri: Zonja Hoxha, ju së fundmi keni qëndruar në Bruksel, ku edhe keni takuar përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian. Siç keni njoftuar pjesë e pandashme e diskutimeve ka qenë integrimi evropian i Kosovës dhe liberalizimi i vizave. Cili është mesazhi që Kosova ka marrë nga institucionet e BE-së kësaj radhe?

Hoxha: Procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Ne si vend dhe si shoqëri duhet ta kemi qëllim kryesor vazhdimin e konsolidimit demokratik, ngritjen e nivelit të sundimit të ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe ndërtimin e një ekonomie të tregut funksional për të vetmen arsye integrimin sa më të shpejtë të vendit drejt familjes evropiane. Vlerat evropiane i konsiderojmë tonat dhe rrugëtimi ynë nuk është i plotë pa u bashkuar në familjen evropiane. Dinamizmi i zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe mundësimi i udhëtimit të lirë për qytetarët e Kosovës në Bashkim Evropian të gjitha këto çështje madhore ndërlidhen me agjendën evropiane të vendit tonë. Edhe në takimin e parë të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, por edhe në takim me anëtarët e Grupit Punues për Regjionin e Ballkanit Perëndimor brenda Komitetit të Stabilizim-Asocimit, në Bruksel, Kosova ka marrë mbështetje për proceset integruese. Po ashtu është bërë e qartë nga institucionet përkatëse që Kosova duhet t’i plotësojë kushtet që kërkohen për liberalizimin e vizave, si dhe duhet të punohet më shumë për implementimin e MSA-së dhe të Agjendës Evropiane të Reformave në veçanti.

Zëri: Në intervistat e fundit të zyrtarëve të BE-së për gazetën “Zëri” është cekur se Demarkacioni nuk mund të hiqet si kriter për liberalizim, kurse Mali i Zi nuk pranon as të rinegociohet kjo marrëveshje. Atëherë çka i mbetet Kosovës që të veprojë në këtë rast? A mund ta shpjegojmë njëherë e mirë çështjen e demarkacionit dhe lidhshmërinë me integrimin evropian? Ju keni përmendur një konsensus nacional, për çfarë konkretisht e keni fjalën?

Hoxha: Procesi i përcaktimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka nxitur shumë debate në Kosovë. BE-ja si kriter të padiskutueshëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka vënë demarkacionin me Malin e Zi dhe kjo çështje nuk ka kthim prapa. Demarkimi i kufirit duhet të përfundojë dhe të gjitha instancat e BE-së e kanë bërë të qartë se ky kusht mbetet dhe nuk do të ketë liberalizim të vizave pa plotësimin e këtij kushti, si dhe luftimin e korrupsionit. Sa i përket konsensusit nacional, e kam fjalën për një konsensus i cili duhet të ekzistojë pavarësisht dallimeve partiake, agjenda e integrimit evropian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të jenë prioritet dhe të gjithë të kemi një konsensus të brendshëm. Klasa politike në vend, kur bëhet fjalë për interesin shtetëror dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendit, duhet të dalin përtej petkut partiak.

Kriteret e BE-së janë të qarta

Zëri: Në të njëjtën kohë kriter tjetër për liberalizimin e vizave mbetet edhe luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. Në intervistën e fundit të shefes së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, për gazetën “Zëri” ajo ka thënë se nuk është bërë asnjë përparim në këtë drejtim. Po duket sikur çdo ditë e më shumë po largohemi nga liberalizimi i vizave, aq shumë i kërkuar nga kosovarët?

Hoxha: Kriteret e BE-së janë të qarta sa i përket liberalizimit të vizave. Puna e Qeverisë së re duhet të fokusohet ndër të tjera në plotësimin e tyre. Në këtë rrugëtim do të shtohen angazhimet duke kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të intensifikojnë punën për plotësimin e kritereve. Tani për tani Kosova ka obligime dhe ato duhen përmbushur. Pas plotësimit të kushteve, atëherë vazhdon procesi i koordinimit me institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave. Qeveria e re dhe unë personalisht si ministre jemi të përkushtuar që të kemi një qasje proaktive në avancimin e agjendës evropiane. Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i sundimit të ligjit do të duhet të jenë prioritet yni, në mënyrë që kosovarët të mos vazhdojnë të jenë të izoluar.

Zëri: Kryeministri Haradinaj ka folur “për muaj” deri në liberalizim. Ju a mund të na thoni ndonjë periudhë se kur qytetarët e Kosovës pritet t’i bashkohen fqinjëve të tyre të Ballkanit, të cilët lëvizin pa viza tash e 7 vjet?

Hoxha: Ne duhet të punojmë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Qeveria dhe të gjitha institucionet janë të përkushtuara maksimalisht që të ecim përpara në këtë proces. Ne jemi të përkushtuar që të kemi një qasje proaktive në avancimin e agjendës evropiane. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë, qytetarët tanë nuk duhet ta shohin emigrimin ilegal si zgjidhje, por duhet të kenë mundësi të shkojnë në vendet e BE-së si qytetarë të lirë.

Zëri: A keni kontaktuar me kryeministrin Haradinaj? Cili është qëndrimi i tij pasi së fundmi po duket se ka zbutur fjalët për Demarkacionin? A jeni në linjë dhe a keni plan konkret si të përfitohet liberalizimi?

Hoxha: Liberalizmi i vizave do të përfundojë atëherë kur Kosova t’i kryejë detyrat e shtëpisë. Luftimi i korrupsionit dhe demarkimi janë çështje të cilat do të duhet të përfundojnë sa më parë, aq më mirë.

 IPA, e rëndësishme për Kosovën

Zëri: Së fundmi Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektin e “IPA 2016”, ku ka përfituar mbi 70 milionë euro. Në çka do të përdoren këto fonde dhe sa i rëndësishëm është ky program?

Hoxha: Në radhë të parë falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për mbështetjen që i dhanë me votë pro Marrëveshjes Financiare për IPA-n 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së i sjell vendit 71.15 milionë euro. Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në “vendet e zgjerimit” me anë të ndihmës financiare dhe teknike. Ky instrument synon reforma në kuadrin e sektorëve të paracaktuar, të cilët mbulojnë fusha të lidhura ngushtë me strategjinë e zgjerimit, të tilla si demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit apo zhvillimi dhe konkurrenca.

Nga zbatimi i MSA-së varet rruga e Kosovës drejt BE-së

Zëri: MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në, mirëpo zbatimi i saj ende nuk ka zënë vend si duhet në Kosovë. Çfarë po ndodh?

Hoxha: Një vit pas hyrjes në fuqi të MSA-së është arritur progres i jashtëzakonshëm në zbatimin e MSA-së dhe posaçërisht në krijimin e strukturave institucionale me qëllim të zbatimit sa më efikas të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, për periudhën në vijim. Ministria e Integrimit Evropian ka filluar rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është proces i rregullt vjetor i planifikimit të politikave për zbatimin e MSA-së. Qëllimi i rishikimit është përditësimi i këtij programi dhe hartimi i masave afatshkurtra që do të zbatohen gjatë vitit 2018. Deri më tani kemi përparime sa i përket zbatimit të MSA-së, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Jam e bindur në përkushtimin dhe në seriozitetin e institucioneve në zbatimin e MSA-së sepse nga ky zbatim do të varet rruga dhe e ardhmja e Kosovës drejt BE-së. Po ashtu pjesë e procesit do të jenë edhe shoqëria civile.

22 prioritete për t’i përmbushur

Zëri: Përpos liberalizimit të vizave, cilat do të jenë prioritetet e Ministrisë suaj gjatë këtij mandati?

Zëri: Prioritet i parë imi është ndryshimi i dinamikës së procesit të integrimit. Duhet të punojmë më shumë dhe më shpejt në këtë drejtim. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Do të fokusohem në intensifikimin e punës dhe në shtyrjen e të gjitha institucioneve që të kryejnë detyrat e tyre që dalin si obligime nga Agjenda për Reforma Evropiane. Kemi 22 prioritete për t’i përmbushur. Po ashtu, duhet të vazhdojmë implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Përfshirja e Kosovës në planet për zgjerim është po ashtu e një rëndësie të madhe, andaj besoj fuqishëm se Kosova duhet të jetë pjesë e planeve për zgjerim dhe të trajtohet e barabartë me vendet fqinje, ku MIE-ja është e përkushtuar që t’i përshpejtojë dinamikat e procesit integrues. Përshpejtimi i kësaj dinamike do të bëhet duke punuar me të gjitha institucionet për përmbushjen e obligimeve që janë pjesë e Agjendës së Reformave Evropiane dhe e MSA-së në tërësi.