Mbahet Parada e Krenarisë, e bojkotojnë Haradinaj dhe Veseli

Aktuale October 11, 2017 - 08:01

Dhjetëra qytetarë kanë marrë pjesë në Paradën e parë të Krenarisë në Prishtinë, e cila kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët dhe largimin e paragjykimeve që i ka shoqëria kosovare për komunitetin LGBTI, shkruan sot, gazeta Zeri

Pjesëmarrësit në paradë kanë mbajtur flamuj që simbolizonin njerëzit me orientime të ndryshme seksuale. Po ashtu përmes parullave të mbajtura në duar ata kanë përcjellë mesazhin që të pranohen dhe të mos diskriminohen nga shoqëria.

Në këtë paradë edhe sivjet ka marrë pjesë presidenti Hashim Thaçi, por jo dhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, shkruan Zeri.

Ndërsa nga kabineti qeveritar ka marrë pjesë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Në paradë ishin edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e të misioneve diplomatike në vend. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka përgëzuar për mbarëvajtjen e paradës dhe ka përcjellë mesazhin që ky komunitet t’i gëzojë të drejtat e plota.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se çdo komunitet në vendin tonë është i mbrojtur me ligj dhe me Kushtetutë dhe se, sipas tij, askush në Kosovë nuk duhet të ndihet i kërcënuar, shkruan Zeri.

“Jam këtu për të shprehur përkrahjen institucionale për komunitetin LGBTI dhe për të konfirmuar se në Kosovë të gjitha komunitetet janë të barabarta dhe se shteti është i ndërtuar mbi të drejtat e të gjithëve. Nuk do të lejojmë që Kosova të jetë frikë apo kërcënim i ndonjë grupi. Ne i mbrojmë të drejtat e njeriut. Institucionet e Kosovës e përkrahin çdo qytetar të Kosovës në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se në Kosovë të gjitha komunitet janë të barabarta. “Shteti dhe shoqëria kosovare janë të ndërtuara mbi parimet e barazisë e të lirisë për të gjitha komunitetet”. Presidenti ka theksuar se “sot vëmendja duhet të jetë te përfaqësuesit e komuniteti, te organizatorët e marshit e jo te institucionet”.

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ka thënë se perspektiva evropiane e Kosovës kërkon respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve. Ajo tha se si shtet dhe si shoqëri duhet t’i mbrojmë dhe t’i respektojmë të drejtat e secilit komunitet, duke përfshirë edhe atë LGBTI-së. 

Ndërsa Lendi Mustafa, në emër të komunitetit LGBTI, i është drejtuar pjesëmarrësve duke thënë se kanë dashuri edhe për ata që i urrejnë. Ai tha se po e ngre zërin për të gjithë ata që nuk mund të dëgjohen.

“Ky është momenti më i mirë në jetën time, këtu po e ngre zërin për krejt ata që nuk mund të dëgjohen e për të drejtën të jenë të barabartë. Ne duam të jetojmë të lumtur pranë njëri-tjetrit dhe jo të nënçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë ka hapësirë për dashuri dhe jo për urrejtje, më shumë se urrejtja na duhet humanizmi”. Mustafa tha se nuk po flet vetëm për dashurinë emocionale, po për atë që gjithë njerëzimi mund të ketë. “Ne jemi këtu për të rrezatuar dashuri edhe për ata që na kundërshtojnë sepse besojmë edhe në diversitet, kemi dashuri edhe për ata që na urrejnë”, tha Mustafa./Zeri/.