Dështimi diplomatik; një vit, një njohje!

Aktuale October 09, 2017 - 07:58

Për dhjetë muaj të këtij viti diplomacia kosovare ka arritur ta sigurojë vetëm një njohje ndërkombëtare, përkatësisht nga Bangladeshi. Gjatë vitit të kaluar dy shtete e kishin njohur pavarësinë e vendit. Derisa zyrtarë qeveritarë japin premtime se shumë shpejt do të sjellin njohje të reja për vendin, opozita dhe analistët politikë kritikojnë diplomacinë e “përgjumur”, shkruan sot, gazeta Zeri.

Duke u bërë vendi i fundit (i 114-i) që njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, Bangladeshi po vazhdon të mbetet shteti i vetëm që i ka sjellë njohje Republikës së Kosovës përgjatë vitit 2017.

Ndonëse edhe ministri i Jashtëm i Qeverisë së re, Behgjet Pacolli, sikurse paraardhësi i tij Enver Hoxhaj, po vazhdon të zotohet se do t’i sjellë njohje të reja Kosovës, opozita konsideron se kjo ngecje po vjen si rezultat i keqqeverisjes përgjatë viteve.

Përderisa përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” thonë se Ministria e Punëve të Jashtme e mandatit të kaluar kishte çaluar në aspektin e njohjeve, ata të LDK-së konsiderojnë se ky dikaster në qeverisjen e re është duke u treguar edhe më i dobët se ai i kaluari.

Nga ana tjetër, edhe njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i njohjeve nuk është duke sjellë aspak rezultate. Lidhur me këtë çështje, sipas tyre, kanë ndikuar faktorë të shumtë, duke u nisur nga politika e bërë në mënyrë jo të duhur nga ana e Kosovës, hyrja në bisedime me Serbinë e deri te propaganda e kësaj të fundit në dëm të Kosovës.

Kurteshi: Keqqeverisja, shkak i ngecjes në aspektin e njohjeve

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar për “Zërin” se Kosova ka ngecur në aspektin e njohjeve. Kjo ka ardhur kryekëput si pasojë e keqqeverisjes në vend.

“Gjatë mandatit të kaluar kemi pasur shumë pak njohje, edhe atë njohjet kanë ardhur prej disa shteteve shumë të vogla, por nuk kemi pasur njohje prej vendeve që kanë ndikim në arenën ndërkombëtare. Konsideroj që shkak i kësaj ngecjeje është situata e brendshme, keqqeverisja dhe krejt dukuritë negative që po e përcjellin Qeverinë e këtij vendi njëra pas tjetrës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Kurteshit, një rezultat i tillë lidhet direkt edhe me ministrinë përkatëse, e cila është marrë me një çështje të tillë.

“Por natyrisht lidhet drejtpërdrejt edhe me punën e dobët që e ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme gjatë mandatit të kaluar. Kurse për këtë Ministri të kësaj Qeverie ende është herët të deklarohemi. Mbetemi me shpresë që atë që po e premtojnë edhe do ta realizojnë”, ka shtuar ai.

Gaxherri: Ministria e kaluar s’dha rezultate të pritshme, por kjo e tanishmja dëshpëruese

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, para pak ditësh është zotuar se do t’i sjellë njohje të reja Republikës së Kosovës.

“Jemi duke punuar në të gjitha fushat dhe unë besoj se viti do të përfundojë me suksese të mëdha apo të konsiderueshme në aspektin e njohjeve për Kosovën. Nuk mund të flas për vende, por ju garantoj se janë vende shumë të rëndësishme të cilat do ta njohin”, deklaroi Pacolli para pak ditësh.

Mirëpo deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka konsideruar se Ministria e Punëve të Jashtme në Qeverinë e re është duke u treguar shumë më e dobët se ajo e kaluara sa i përket çështjes së njohjeve.

“Konsideroj se edhe në mandatin e kaluar Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pasur rezultate të pritshme. Por çka është më e keqja, me shkuarjen e asaj Qeverie e me ardhjen e kësaj Qeverie kemi dëshmi që Qeveria e Kosovës është tërhequr edhe prej aplikimit në INTERPOL dhe në UNESCO. Kjo na jep për të kuptuar se sa është profesionale dhe e përkushtuar në përgjithësi Qeveria dhe në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme. Ky është vërtet një dëshpërim shumë i madh”, ka theksuar ajo gjatë një bisede për “Zërin”.

Gaxherri më tej ka thënë se këto tërheqje kanë lidhshmëri të dukshme edhe me procesin e njohjeve.

“Ne kemi bërë një punë të madhe që në këto organizata të aplikojmë në kohë dhe kemi qenë shumë të sigurt që do të anëtarësohemi. Ndërsa sa u përket njohjeve kjo pastaj nënkupton, kur kemi mbi 100 shtete që na kanë njohur dhe nuk kemi pasur guxim as të aplikojmë në këto organizata, se sa është duke u punuar në atë drejtim për të na njohur. Këto gjëra janë të ndërlidhura”, ka shtuar ajo.

Murati: Procesi i njohjeve nuk është duke prodhuar rezultate

Nga ana tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka konsideruar se procesi i njohjeve është zvarritur tejet shumë.

“Ky proces është zvarritur dhe nuk është duke prodhuar rezultate. Posti i ministrit të Punëve të Jashtme tash e sa kohë ka qenë pjesë e marrëveshjeve politike dhe pavarësisht fjalëve të mëdha është bërë shumë pak në këtë drejtim”, është shprehur ai.

Sipas Muratit, Kosova duhet të punojë me theks të veçantë që pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur, ta njohin shtetin e Kosovës.

Kurse profesori i Shkencave Politike, Dashnim Ismajli, ka konsideruar se Kosova ka stagnuar në aspektin e njohjeve nga shtetet e botës qysh prej se ka nisur dialogu me Serbinë.

“Mendoj se Kosova qysh nga viti 2011, domethënë që me nisjen e dialogut në Bruksel, ka sfiduar veten në politikën e jashtme, politikë kjo që ka karakterizuar dinamikën e diplomacisë kosovare në një nivel të ulët dhe jo të favorshëm për shtetin  Kosovës. Si rezultat i përqendrimit të pothuajse të gjitha kapaciteteve dhe energjisë së palës kosovare në dialogun me shtetin serb ka bërë që Kosova të mos arrijë progres në anëtarësimin e mekanizmave të tjerë, po ashtu në zgjerimin e njohjeve dhe në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtarisht”, është shprehur ai.  

Ismajli më tej ka thënë se lidhur me këtë çështje ka ndikuar edhe propaganda e Serbisë në dëm të Kosovës. Ndërkohë ka konsideruar se, përpos këtyre, në stagnimin e njohjeve drejt Kosovës këtë kanë ndikuar edhe zgjedhjet të cilat u organizuan dhe do të organizohen këtë vit.

Abazi: Politika e jashtme në vdekje klinike

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka konsideruar se vendimi i Kosovës për të hyrë në bisedime me Serbinë ka kthyer në “zero” dinamikën e njohjeve.

“Politika e jashtme e Kosovës është në vdekje klinike për shumë vite. Vendimi për të hyrë në bisedime me Serbinë pas vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare më 22 korrik të vitit 2010 ka qenë vendimi që e ka bërë procesin e njohjes të hyjë në dinamikën pothuaj zero. Pas hyrjes në dialog me Serbinë, që në fakt u tha të gjitha vendeve në mënyrë implicite se nuk kanë nevojë ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse në fakt çështja e statusit përfundimtar nuk është zgjidhur”, ka nënvizuar Abazi.

Ndërkaq arsyeja tjetër, sipas tij, ka të bëjë me mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Arsyeja tjetër ka të bëjë me mosfunksionimin e gjykatës dhe të prokurorisë. Kosova shihet si vend ku gjyqësia nuk funksionon dhe krimi dhe korrupsioni janë forma e veprimit. Raportet e ambasadave dhe përfaqësuesve ndërkombëtare për vendet e tyre janë pikërisht se vendi nuk ka gjyqësi e drejtësi dhe nuk ka zhvillim ekonomik as treg të lirë”, ka shtuar Abazi.