May-Haradinajt: Luftojeni krimin e organizuar dhe korrupsionin

Aktuale October 04, 2017 - 14:56

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë urim për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë kosovare nga Kryeministrja Britanike Theresa May, e cila shpreh përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat.

Kryeministrja May ia ka kujtuar Haradinajt se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike.

Ajo ka thënë se do të vazhdojnë ta përkrahin fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe shpresojnë që qeveria Haradinaj do të trajtojë me prioritet mangësitë në sistemin e drejtësisë. 

Në urim thuhet:

Shkëlqesisë së tij Ramush Haradinaj

I nderuari Kryeministër,

Ju lutem pranoni urimet e mia të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, me rastin e zgjedhjes suaj Kryeministër i Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike.

Ne jemi të përkushtuar për Kosovën e integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ne mbështesim fuqishëm një Kosovë stabile, të sigurt, dhe prosperuese.

Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të përkrahim fuqizimin e sundimit të ligjit në vendin tuaj, dhe shpresojmë që qeveria juaj do të trajtojë me prioritet mangësitë në sistemin e drejtësisë, e gjithashtu të ndërmarrë të gjitha masat e duhura që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje të shtuar teknike dhe shpresojmë që iniciativat ekzistuese të gjejnë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë suaj, siç është projekti me Mbretërinë e Bashkuar për asistencë Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në administratën publike.

Ne besojmë se bashkëpunimi Mbretëri e Bashkuar – Kosovë në këtë projekt është me rëndësi të lartë sepse nxitë profesionalizmin, llogaridhënien, dhe transparencën në administratën publike – dhe në këtë mënyrë, demonstron para botës përkushtimin e Kosovës në vlerat demokratike.

E mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë të dy qeverive tona. Do të jem e nderuar të ju mirëpres në Mbretërinë e Bashkuar për Samitin e Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet vitin e ardhshëm.

Sinqerisht e juaja,

Theresa May