Thaçi: SHBA-të i thonë “PO” përfshirjes së tyre në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale October 02, 2017 - 22:16

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshihen drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi. Ky ka qenë premtimi që presidenti Thaçi ka marrë nga zv.presidenti amerikan Mike Pence.

Në një intervistë dhënë për RTK-në, Thaçi tha se temë e takimit ishte edhe formimi i ushtrisë, që sipas tij, do të ndodhë këtë vit.

Po ashtu Thaçi tha se ishin tri çështje të cilat i kanë diskutuar me zv.presidentin amerikan Pence.

Çështja e parë, sipas Thaçit, është vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë të re për përmbylljen e këtij procesi  me një marrëveshje historike të normalizimit dhe pajtimit me rolin udhëheqës te Bashkimit Evropian.

“Ka ardhur koha që përfundimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës të involvohen direkt në dialogun Kosovë – Serbi. Zv.presidenti Pence, e ka konfirmuar përkushtimin dhe përfshirjen e tij personale dhe të Shtëpisë së Bardhë në këtë proces të rëndësishëm , që na jep më tepër siguri”, deklaroi ai.

Presidenti tha se përfshirja direkte e SHBA-së  ne procesin e dialogut do të japë një kuptim të ri, do t’i japë  një dinamikë të re dhe siguri për sukses përmbyllës të kësaj rrethane të re.

“Zv.presidenti Pence, edhe një herë e ka rikonfirmuar qëndrimin e SHBA-së, se Kosova si vend sovran ka të drejtë të themelojë Forcat e Armatosura, gjithashtu ka konfirmuar se Forca e Re Kosovës do jetë një forcë moderne e standardeve të NATOS dhe multietnike. Do të kryhen të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë dhe brenda vitit do të themelohen forcat e Armatosura të Kosovë”, shtoi Thaçi.

Ai tha se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon që Kosova ta përmbyllë sa më shpejt çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje që tani më është nënshkruar në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe është ratifikuar nga Mali i Zi.

“Për SHBA-të kjo çështje është e përmbyllur dhe kërkojnë prej nesh, prej parlamentit të Kosovës që ta përmbyllim sa më shpejt në mënyrë që të lëvizim drejt progresit evropian, në veçanti drejt liberalizimit të vizave”, theksoi Thaçi.