AKA gjeti 48 raste të deklarimit të rremë të profesorëve, tri ditë para shkarkimit

Aktuale September 26, 2017 - 15:40

Tre ditë para se Kryeministri Ramush Haradinaj të kërkojë shkarkimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Këshillit Shtetëror i Cilësisë që funksionon në kuadër të saj, kishte gjetur 48 raste të deklarimit të rremë të profesorëve me qëllim të akreditimi të programeve të universiteteve në vend. 

Megjithëkëtë, Kryeministri Haradinaj të hënën ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Shyqri Bytyqi, që menjëherë të shkarkojë bordin e AKA’së dhe përfshirë edhe ushtruesen e detyrës se drejtorit me konkludimet se “procesi i akreditimit deri më tash është zhvilluar me parregullsi serioze duke u shndërruar në objekt të shpeshtë të diskutimit publik”. 

“AKA ka vërtetuar se 48 persona kanë dorëzuar deklarim të rremë në AKA për qëllime të akreditimit të programeve të studimit dhe kjo paraqet shkelje serioze të dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës. Për më tepër, ky deklarim i rremë përbën shkelje të rëndë të Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e IAL-ve në Kosovë, meqenëse AKA në këtë mënyrë ka bërë akreditimin e programeve të studimit bazuar në dëshmi dhe informata të rrejshme”, thuhet në një njoftim të AKA’së, të datës 22 shtator 2017. 

Ky është njoftimi i plotë: 

KËSHILLI SHTETËROR I CILËSISË (KSHC) I AGJENCISË SË KOSOVËS PËR AKREDITIM (AKA) MBAJTI MBLEDHJEN E 53-TË (22.09.2017)

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), sot me datë 22.09.2017, ka mbajtur mbledhjen e 53-të. Në këtë mbledhje u diskutuan pika të ndryshme të rendit të ditës përfshirë: Manuali i ri i Akreditimit, shqyrtimi dhe analizimi i listave të stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, trajtimi i kërkesave për rishqyrtimin e vendimeve të KSHC-së në lidhje me programet e suspenduara nga KSHC në mbledhjen e mbajtur në korrik, si dhe trajtoi kërkesa te tjera nga IAL.

Verifikimi i angazhimit të stafit akademik të huaj me gradë akademike Doktor Shkence (PhD) të cilët janë deklaruar staf i rregullt (Full Time) në IAL-të në Republikën e Kosovës.

Bazuar në autorizimin e KSHC-së për verifikim shtesë të stafit akademik të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe të cilët janë të deklaruar si staf i rregullt në Kosovë, në lidhje me angazhimin e tyre të vërtetë në Kosovë, AKA ka bërë verifikimet e nevojshme dhe ka paraqitur në këtë mbledhje dëshmitë lidhur me këtë proces. Fillimisht stafi akademik me rastin e deklarimit të angazhimit të tyre në IAL-të në Kosovë janë të obliguar të dorëzojnë një deklaratë nën betim, përmes së cilës autorizojnë AKA-në që të bëjë verifikimin e të dhënave të paraqitura në deklaratat e tyre.

Deri më tani, AKA ka identifikuar 82 persona, shtetas të huaj, me gradë akademike Doktor Sheknce (PhD) të cilët janë të paraqitur në Kosovë si staf i rregullt akademik, se kanë marrëdhënie të rregullt të punës edhe në shtetet e tyre të origjinës, ani pse të njejtit më parë kanë sjellë dëshmi për mos-angazhimin e tyre në marrëdhënie pune në vendet e tyre të origjinës.

AKA ka kontaktuar me institucionet e identifikuara në shtetet e origjinës për shtetasit e huaj duke ju drejtuar kërkesë për informatë nëse stafi i njëjtë është i angazhuar në të njëjtën kohë edhe në institucionet e tyre si staf i rregullt. Deri në këtë fazë, AKA në kërkesën për informata lidhur me angazhimin e këtij stafi akademik, ka pranuar përgjigje për 65 persona dhe është në pritje të përgjigjes edhe për 17 persona të tjerë. Nga përgjigjet zyrtare që AKA ka pranuar rezulton se 48 persona të paraqitur si staf i rregullt akademik në IAL në Republikën e Kosovës, në të njëjtën kohë kanë marrëdhënie të rregullt pune edhe në vendet e tyre të origjinës, jashtë Kosovës. Prej këtyre personave 35 janë të angazhuar në Institucione të Arsimit të Lartë ose institucione tjera në Republikën e Maqedonisë dhe 13 prej tyre në Republikën e Shqipërisë. Për 17 është konfirmuar që nuk kanë angazhim të rregullt në shtetet e tyre të origjinës. 

AKA ka vërtetuar se 48 persona kanë dorëzuar deklarim të rremë në AKA për qëllime të akreditimit të programeve të studimit dhe kjo paraqet shkelje serioze të dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës. Për më tepër, ky deklarim i rremë përbën shkelje të rëndë të Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e IAL-ve në Kosovë, meqenëse AKA në këtë mënyrë ka bërë akreditimin e programeve të studimit bazuar në dëshmi dhe informata të rrejshme. 

AKA ka njoftuar IAL-të të cilat janë afektuar nga dorëzimi i deklarimeve të rrjeshme nga stafi i tyre akademik me nënshtetësi të huaj dhe ju ka dhënë afat shtesë për largimin e ketyre personave nga listat e stafit akademik. Megjithatë, për IAL-të të cilat nuk kanë arritur të bëjnë zëvendësimet e nevojshme sipas kërkesës së AKA-së, KSHC ka marrë vendim për tërheqjen e akreditimit të 5 programeve të studimit në tri institucione të arsimit të lartë. Ky vendim është marrë bazuar në Nenin 21, pika 3, të Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e IAL-vë në Kosovë, i cili përcakton se “AKA rezervon të drejtën e tërheqjes së akreditimit të IAL-ve të cilët ofrojnë dëshmi dhe informacione të rrejshme në kohën e akreditimit”. Tërheqja e akreditimit të programeve të studimit, nënkupton që IAL-të obligohen të fillojnë nga fillimi procesin e akreditimit të programeve të studimit dhe nuk kanë të drejtë regjistrimin e studentëve të rinj në këtë vit akademik. Studentët e regjistruar në këto programe të studimit në vitet e mëhershme akademike, tani më të tërhequra, do të vazhdojnë me studimet e tyre në përputhje me statutin e institucionit si dhe dispozitat ligjore në fuqi.

AKA njofton publikun se këtë proces e ka realizuar në transparencë të plotë me gjitha palët e përfshira në këtë proces, përkatësisht me IAL-të në Kosovë, stafin akademik dhe Institucionet relevante në shtetet fqinje dhe vendet tjera. AKA shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me situatën e stafit akademik në Kosovë duke kujtuar që roli i stafit akademik është qenësor për edukimin e të rinjëve jo vetëm për aspektet akademike, mirëpo edhe për vlerat e individit, zhvillimin intelektual të tyre dhe formësimin e tyre si qytetarë të përgjegjshëm. AKA konsideron se sigurimi dhe promovimi i cilësisë në arsimin e lartë arrihet nëse të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces janë korrekt, dëshmojnë integritet akademik dhe anagzhohen në arritjen e vlerave shoqërore të cilat janë detyrë e cdo institucioni të arsimit të lartë. 

Për të parë listën e programeve të cilave iu është tërhequr akreditimi nga KSHC, ju lutem klikoni këtu. 

AKA njofton publikun se në ndërkohë ka pranuar dokumentacion të ri të stafit me shtetësi të huaj (28 dosje te reja) dhe është në proces të njejtë të verifikimit të tyre. AKA është në proces të verifikimit dhe me rastin e pranimit të konfirmimeve do ti paraqesë dëshmitë në mbledhjen e radhës së KSHC-së. Deri në atë kohë, KSHC nuk do të pranojë asnjë staf të ri akademik me nënshtetësi të huaj si të rregullt, përkatësisht bartës të programeve të studimit në asnjë nga IAL-te në Kosovë. 

Në lidhje me trajtimin e kërkesave për rishqyrtimin e vendimeve të KSHC-së për pezullimin e programeve të studimit, KSHC i AKA ka shqyrtuar gjitha kërkesat për rishqyrtim të vendimeve për pezullim të programeve studimore të dorëzuara nga IAL-të, së bashku me dokumentacionin plotësues lidhur me angazhimin e stafit akademik. Në bazë të kërkesave dhe dokumentacionit plotësues të paraqitur nga IAL-të, KSHC ka marrë vendim për heqjen e masës së pezullimit për 21 programe studimi.

Në lidhje me angazhimin e stafit akademik për programet veçse të akredituara të institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, KSHC i AKA-së edhe në këtë mbledhje ka analizuar gjendjen e stafit akademik të secilit institucion të arsimit të lartë. AKA përsëri ka vërejtur lëvizje të stafit akademik dhe si pasojë ka konstatuar se disa programe nuk kanë arritur të mbajnë kriterin e kërkuar për stafin akademik sipas UA-së për Akreditim. Rrjedhimisht, edhe kësaj radhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi KSHC i AKA ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të 4 programeve të studimit. Kështu numri i gjithmbarshëm i programeve të pezulluara deri më tani është 92. 

Për të parë të gjitha vendimet e KSHC-së për pezullimin e akreditimit të programeve të studimit të cilat kanë mungesë të stafit akademik sipas legjislacionit në fuqi, ju lutem klikoni këtu. 

AKA përsëri njofton publikun se pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18, deri në një vendim tjetër të KSHC-së së AKA-së. Studentët e regjistruar në këto programe të studimit në vitet e mëhershme akademike, tani më të pezulluara, do të vazhdojnë me studimet e tyre në përputhje me statutin e institucionit si dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Po ashtu AKA njofton publikun se sipas Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative, kundër këtyre vendimeve, çdo palë e pakënaqur mund të paraqet ankesë sipas nenit 131, të Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative nr. 05/L-31. Ankesat e pranuara nga IAL do të shqyrtohen sipas afatit ligjor dhe në rast të plotësimit të kritereve të kërkuara me UA, KSHC do të rishqyrtojë vendimet e saj. 

Në fund, me qëllim të lehtësimit të qasjes së studentëve, prindërve dhe opinionit publik, në informacionet për institucionet e arsimit të lartë dhe programeve të studimit të cilat kanë akreditim valid dhe mund të regjistrojnë studentë të rinj në vitin akademik 2017/18, AKA ka aktualizuar listën e cila përfshinë të gjitha programet e studimit valide.