Aktakuzat e Speciales në dhjetor

Aktuale September 26, 2017 - 07:43
Në dhjetor të këtij viti pritet të ngrihen aktakuzat e para ndaj ish-eprorëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Burimet e gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se gjatë nëntorit në Kosovë pritet të arrijnë disa prokurorë specialë për t’i marrë në pyetje disa nga të dyshuarit, mes të cilëve spekulohet se mund të ketë edhe figura të rëndësishme politike në vend, përderisa aktakuzat pritet të jenë të gatshme një muaj më pas, transmeton zeri.info.

Gjykata Speciale në dhjetor të këtij viti pritet t’i ngrejë aktakuzat e para ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët dyshohen se kanë kryer krime gjatë periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës “Zëri”, duke shtuar se një muaj më herët (në nëntor 2017) disa prokurorë specialë pritet të arrijnë në Kosovë për t’i marrë në pyetje disa nga të dyshuarit, mes të cilëve spekulohet se mund të ketë edhe figura të rëndësishme politike në Kosovë.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka kontaktuar edhe zyrtarët e lartë të Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorisë Speciale, derisa të parët e kanë konfirmuar se tashmë janë të gatshëm edhe ligjërisht që t’i pranojnë aktakuzat e para nga Prokuroria Speciale, këta të fundit nuk kanë dashur të japin detaje sa i përket fazës së hetimeve dhe afateve se kur eventualisht mund të ngrihen aktakuzat.

“Faktikisht, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë tërësisht funksionale në aspektin gjyqësor dhe të gatshme për marrjen e parashtrimeve. Tash i takon plotësisht Zyrës së Prokurorit të Specializuar të paraqesë akuza, të cilat duhet të konfirmohen nga një gjykatës i pavarur, i cili vlerëson nëse akuzat e paraqitura janë të bazuara”, ka thënë për gazetën “Zëri” zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes.

Të pyetur nëse deri më tani kanë pranuar ndonjë aktakuzë apo depozitë nga Prokuroria Speciale, Benes ka thënë se ata do t’i bëjnë publike të gjitha informacionet në një kohë të përshtatshme. “Sikurse jeni në dijeni, ne nuk mund të diskutojmë për asnjë gjë që ka të bëjë me akuza apo hetime në lidhje me të cilat ju lutemi kontaktoni Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhomat e Specializuara do ta bëjnë publik çfarëdo informacioni në lidhje me parashtrimet kur të jetë e përshtatshme”, ka thënë Benes.

Më tutje ajo ka shpjeguar edhe mandatin e këtyre Dhomave dhe rastet me të cilat do të merren konkretisht. “Dhomat e Specializuara kanë mandat dhe juridiksion lëndor konkret dhe të kufizuar mbi krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera, sikurse saktësohet në Nenin 15 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhomat e Specializuara kanë juridiksion kohor dhe hapësinor mbi krime, të cilat në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 pretendohet se janë kryer mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, dhe që janë filluar ose janë kryer tërësisht në territorin e Kosovës”, ka thënë ajo. Sipas saj, Dhomat e Specializuara nuk kanë juridiksion mbi asnjë krim tjetër të kryer brenda ose jashtë periudhës së lartpërmendur.

Megjithatë, ajo ka pranuar se përjashtim do të bëjnë krimet kundër administrimit të drejtësisë kur ato kanë të bëjnë me procedura dhe me zyrtarë të Dhomave të Specializuara.

Bennett: Prokurori special nuk mund ta komentojë statusin e hetimeve

Pas komunikimit me Dhomat e Specializuara edhe me sugjerimin e tyre, gazeta “Zëri” ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale për t’i pyetur rreth statusit të hetimeve apo të informatave se kur priten aktakuzat e para për të dyshuarit, e të cilat krime në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 pretendohet se janë kryer mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, dhe që janë filluar ose kryer tërësisht në territorin e Kosovës.

Mirëpo, në përgjigjen zyrtare që “Zëri” ka marrë Zyra e Prokurorit Special, David Schwendiman, thuhet se prokurori nuk mund të komentojë për momentin mbi statusin e hetimeve e as të afateve kohore se kur priten aktakuzat e para. “Prokurori Special nuk mund të komentojë rreth statusit të hetimeve për arsye legale, profesionale dhe etike”, ka thënë Christopher Bennett, zëdhënës i Prokurorisë Speciale.

Berisha: Specialja do të shkojë direkt në arrestime

Avokati kosovar Besnik Berisha ka thënë për “Zërin” se beson që Prokuroria Speciale do të kalojë direkt në arrestime, pasi që, sipas praktikave të njohura ligjore, tashmë një numër i madh i njerëzve vetëm se janë marrë në pyetje.

“Nuk besoj që do të ketë ndonjë procedurë më të veçantë sesa ajo që parashihet me procedura të rregullta. Të gjitha procedurat do të zhvillohen në bazë të rregullores së miratuar nga Gjykata dhe të votuar nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Berisha, duke shtuar se ajo çfarë di edhe nga praktika e punës është se një numër i madh personash tashmë janë intervistuar dhe natyrisht që në rast se ngrihet aktakuzë për dikë, atëherë marrja në pyetje është e pakuptimtë.

Sipas tij, me ngritjen e aktakuzës konsiderohet se të gjitha veprimet hetimore janë realizuar dhe se janë grumbulluar prova të mjaftueshme që dikush të procedohet për gjykim”. Tashmë presupozohet që do të ketë ngritje të aktakuzave dhe të gjithë të akuzuarit do të përballen me Prokurorinë përballë Gjykatës”, ka thënë Berisha.

Më tutje avokati Berisha ka thënë se pavarësisht faktit që Gjykata tashmë është funksionale edhe ligjërisht, nuk pritet të ndodhin aktakuzat e para para janarit apo shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Meqenëse vetë themelimi i kësaj Gjykate më shumë ka qenë kusht për politikë dhe trysni politike përballë institucioneve të Kosovës, gjykoj se do të duhej të kalojnë edhe pak ditë derisa të konsolidohen institucionet e vendit, të formuara tani para zgjedhjeve të 11 qershorit. Për bindjen time aktakuzat e para nuk mund të ndodhin para janarit, gjegjësisht para shkurtit të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai. Në fund Berisha ka thënë se nëse do të ndodhnin më herët, institucionet tona nuk do të ishin të gatshme dhe nuk do të mundë të përballeshin mjaftueshëm me këto veprime.

Koliqi: Roli i Gjykatës Speciale është keqkuptuar

E roli i Gjykatës Speciale dhe rastet me të cilat ajo pritet të merret duket se janë keqkuptuar edhe në vendin tonë. Këtë e kanë thënë për “Zërin” drejtori i INTEGRA-s, Kushtrim Koliqi.

Ai ka shpjeguar se ekziston një mori e miteve dhe keqkuptimeve.

“Mitet, respektivisht keqkuptimet kryesore të qytetarëve të Kosovës për Gjykatën Speciale, konsistojnë në atë që: Gjykata Speciale e Kosovës do t’i ndjekë penalisht krimet për korrupsion dhe kapjen e shtetit, Gjykata Speciale për Kosovën do të përcaktojë nëse UÇK ka qenë organizatë terroriste, Gjykata Speciale për Kosovën do t’i ndjekë penalisht personat e dyshuar për krime lufte nga ish-Jugosllavia dhe nga Serbia, Gjykata Speciale do t’i ndjekë penalisht të gjitha krimet, që dyshohet të jenë kryer nga UÇK-ja”, ka thënë Koliqi.

Sipas tij, asnjëra nga këto argumente nuk qëndron.

“Këto mite dhe keqkuptime janë si pasojë e diskursit publik tanimë të krijuar kryesisht nga politikanët kosovarë dhe serbë (për interesa politike apo për akuza të ndërsjella në mes të oponentëve politikë), si dhe nga mungesa e komunikimit direkt të institucioneve përgjegjëse me qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje Koliqi ka thënë se Gjykata Speciale nuk do t’i ndjekë penalisht të gjitha krimet, që dyshohet të jenë kryer nga UÇK-ja.

“Jo, në asnjë rrethanë. Në gusht të vitit 2015 Kosova ka miratuar legjislacionin që themeloi Zyrën e Prokurorit të Specializuar ("SPO") për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, të cilat ndodhën gjatë dhe si rrjedhojë e konfliktit të Kosovës në periudhën 1998-2000”, ka thënë Koliqi, duke shtuar.

“Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës e mandatoi atë t’i hetojë dhe t’i gjykojë vetëm ato krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të identifikuara në Raportin e Dik Martit, të gjitha rastet tjera të krimeve kundër popullatës civile, që ndodhën si pasojë e konfliktit 1998-’99, duhet të trajtohen ekskluzivisht nga gjyqësori i Kosovës dhe nga EULEX-i”, ka përfunduar ai.

Gjithçka nisi nga Dick Marty

Në maj të vitit 2015 kryeprokuror i posaçëm i Gjykatës Speciale u emërua David Schwendiman, nga SHBA-ja. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç tashmë është emërtuar me ligj nga Parlamenti i Kosovës si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës, që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës (03.07.2015) me shumicë votash pati miratuar ndryshimet kushtetuese, që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ndonëse kjo ishte kundërshtuar fuqishëm nga partitë politike opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Opozita kosovare pati deklaruar se “themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës dhe që udhëhiqet krejtësisht nga autoritetet ndërkombëtare përbën cenim të rendit kushtetues dhe krijon sistem paralel të drejtësisë”.

Sidoqoftë, selia e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë do të jetë në Hagë, për arsye se konsiderohet që “dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë”. Më një janar të këtij viti hyri në fuqi ratifikimi i parlamentit të Holandës, që e lejon në territorin e saj fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson bëhej e ditur nga vetë Williamson se “kjo Gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte”.

19 gjyqtarët e Speciales

Keith Raynor (zëvendëspresident), Britani e Madhe.
 Vidar Stensland (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese), Norvegji.
 Roland Dekkers (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese), Holandë. 
 Ann Power-Forde (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese), Irlandë.
 Antonio Balsamo (Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese, gjykatës rezervë), Itali.
 Charles Smith III, SHBA.
 Christine van den Wyngaert, Belgjikë.
 Michèle Picard, Francë.
 Thomas Laker, Gjermani.
 Emilio Gatti, Itali.
 Michael Bohlander, Gjermani.
 Kai Ambos, Gjermani.
Kenneth Roberts, Kanada.
 Mappie Veldt-Foglia, Holandë.
 Christoph Barthe, Gjermani.
 Vladimir Mikula, Çeki.
 Guénawl Mettraux, Zvicër.
Nicolas Guillou, Francë.
Andres Parmas, Estoni.