Ja kur pritet të ngritën aktakuzat e para të Speciales

Aktuale September 25, 2017 - 21:05

Aktakuzat e para të Speciales nuk pritet të ngritën para vjeshtës së vitit të ardhshëm.

Këtë e ka thënë për Klan Kosovën një burim i njoftuar mirë me zhvillimet në Hagë, ku është selia e gjykatës në fjalë, e cila ndryshe njihet si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Më herët është thënë se aktakuzat e para do të bëheshin publike në janar të vitit 2018. Burimi në fjalë ka thënë se kjo mund ta hidhërojë Serbinë, e cila, sipas tij, ka dërguar në kryeqytetin holandez më tepër se 80 mijë faqe dosje.

Këtu përfshihen materiale me të cilat Beogradi pretendon të vërtetojë pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera në Kosovë, gjatë luftës.

Ky fakt, sipas zyrtarit në fjalë, ka bërë që Gjykata speciale të shihet si një institucion që “vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por kryesisht me dosje të Serbisë dhe prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë formuar në bazë të Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për gjykimin e pretendimeve të paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. Ato janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.