Haradinaj zotohet para delegacionit për bisedime për çështjen e të zhdukurve

Aktuale September 24, 2017 - 13:40

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti kryetarin e delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në luftën e fundit, Ibrahim Makollin.

Kryeministri i Kosovës u interesua që nga Makolli të marrë të dhënat e fundit se si qëndron çështja e rrjedhës së këtyre bisedimeve dhe çfarë duhet të bëhet me urgjencë që kjo çështje e dhimbshme për shoqërinë kosovare të marrë epilog.

Makolli theksoi hapat që duhet të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës që ky aspekt, i rëndë për shoqërinë kosovare, të marrë vëmendjen e duhur të Qeverisë duke bashkërenduar veprimet e të gjithë mekanizmave qeveritarë dhe të sektorit civil.

Makolli theksoi nevojën imediate që anëtari i UNMIK-ut në këtë trupë qeveritare të ndërrohet, duke e zëvendësuar me ndonjë përfaqësues të BE-së, p.sh. duke kërkuar zgjidhje të shpejtë të problemeve që kanë mbetur pezull, siç është caktimi i një zyrtari për sistemimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, çështja e 300 mbetjeve mortore në morgun e QKUK-së, si dhe rishqyrtimin e disa rivarrimeve të viteve të pasluftës në përputhje me ADN-të, por edhe gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për ruajtjen e rrobave dhe gjësendeve tjera të të vrarëve në luftë, të cilët janë rivarrosur.

Kryeministri Haradinaj u zotua që për një javë t’u jepet zgjidhje këtyre aspekteve, në bashkëpunim me të gjitha palët e përfshira në këtë proces.