Dardan Molliqaj ka fjalë të mira për presidentin Thaçi

Aktuale September 24, 2017 - 08:34

Lëvizja Vetëvendosje, me vite të tëra është munduar t’ia mohojë ish-liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, tash president i vendit, pjesëmarrjen e tij në luftën e UÇK-së.

Por, mbrëmë, një prej figurave kryesore të këtij subjekti politik, me një ndryshim të madh qëndrimesh, Dardan Molliqaj, ia pranoi atij meritat e luftës.

Duke “peshkuar” në elektoratin e PDK-së, Molliqaj tha se Thaçi ka merita me vetë pjesëmarrjen e tij në luftën e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

“Vetë fakti që ka marr pjesë në luftë, do të thotë se ka meritë që mori pjesë. Ai ka kontribuar sikurse të tjerë, duke rrezikuar atë që është më e shenjta, jetën e tij”, ka thënë Molliqaj, shkruan lajmi.net.

Më parë, jo vetëm Molliqaj, por edhe Kurti dhe të tjerët në Vetëvendosje thoshin se Hashim Thaçi nuk kishte marrë pjesë fare në luftë, por kishte qëndruar në hotelet e Tiranës dhe botës, duke shikuar nga larg dhe duke i përçarë ata që bënin luftën në Kosovë. Madje, ditë më parë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, tash deputet, sulmoi edhe liderin e tashëm të PDK-së, Kadri Veseli, që njihet për kontributin e madh në luftën e UÇK-së, duke thënë se ai ka qenë vetëm një javë në luftë. Ndaj kësaj deklarate politike të deputetit të Vetëvendosjes kishte reaguar deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, duke thënë se nuk duhej t’i shihej për të madhe, se Krasniqi aq ka parë dhe dëgjuar për luftën, derisa për Veselin kishte thënë sa ka më shumë vite kontribut, se që Frashër Krasniqi ka moshë./lajmi.net/