'Blic' ‘zbulon’ bisedën mes Vuçiqit e Pacollit në takimin e papritur në OKB

Aktuale September 23, 2017 - 23:57

Në ndërtesën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, ku këto ditë po qëndrojnë delegacione nga e mbarë bota, pjesëmarrës është edhe delegacioni i Kosovës, në krye me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Ata kanë zhvilluar takime të shumta me delegacione të shteteve të ndryshme për të lobuar për njohje të reja si dhe për anëtarësimin e vendit në UNESCO.

Për këtë të fundit, Pacolli, në një bisedë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se Kosova i ka votat dhe sivjet do të bëhet pjesë e kësaj organizate, raporton Koha.net.

Ndërkaq, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë. Madje, sipas të përditshmes serbe, “Blic”, në ndërtesën e OKB-së janë takuar rastësisht edhe delegacionet e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sipas kësaj gazete, është ndeshur me Thaçin e Pacollin, dhe me këtë të fundit ka shkëmbyer disa “llafe”.

“Ku i gjete tërë ato vota për të cilat po bisedon? Ke humbur njëherë, do të humbasësh përsëri”, citohet t’i ketë thënë Vuçiqi Pacollit.

Sipas “Blicit”, Pacolli është hutuar dhe e ka pyetur:

“A je lodhur nga tërë këto takime?”.

Ndërkaq, gjithnjë sipas mediumit serb, Thaçi vetëm ka vëzhguar nga distanca dhe nuk është përfshirë në diskutim, transmeton Koha.net.

Vuçiq ndërkaq ka deklaruar se “shqiptarët prapa vetes kanë muskujt e fuqive të mëdha”, por se edhe Serbia do të luftojë, përderisa ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se “ata nuk kanë vota të mjaftueshme për UNESCO”.

“Pacolli mendon se gjithçka mund të zgjidhë me para, por nuk shkon bash kështu. Ne para dy vjetësh kemi fituar ndonëse i kanë mbështetur shtetet më të fuqishme”, ka thënë Daçiq për “Blic”.