Mungojnë tekstet mësimore, i blejnë vetë prindërit

Aktuale September 23, 2017 - 08:10
Ministria e Arsimit nuk ka shpërndarë të gjitha tekstet për klasat e para. Edhe për klasat tjera nëpër shkolla është evidentuar mungesa e artikujve mësimorë, shkruan sot Gazeta

Klasat e para kanë nisur mësimin me mungesë tekstesh. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës nuk ka shpërndarë të gjitha tekstet mësimore në shkollat fillore, ashtu siç edhe ishte paraparë në vendimin e këtij dikasteri qeveritar, shkruan "Zëri".

Mungesa e teksteve është paraqitur edhe në klasat tjera. Shumica e komunave të vendit kanë deklaruar për mosfurnizimin e plotë me tekste mësimore.

LEXO EDHE: Fushata zgjedhore në jug e qetë, në veri e tensionuar

Në mesin e librave që prindërit janë detyruar t’i blejnë, sidomos në komunën e Prishtinës, janë: Teksti shkollor “Dituri natyre” (fletore pune 1), me autor Anthony Russell, pastaj “Dituri natyre”, Anthony Russell 1, si dhe teksti tjetër po ashtu për klasën e parë “Edukim për Shoqërinë”, shkruan tutje "Zëri".

Skënder Avdiu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, ka thënë se kanë marrë raportime nga shkollat për mungesë të 2340 librave (niveli I –klasa 1-5).

“Në klasën e parë kemi mungesë të nëntë tituj librash, gjithsej 450 libra”, ka thënë ai për “Zërin”.

Avdiu ka thënë se të mërkurën janë furnizuar nga MASHT-i me libra për klasën e dytë, të katërt dhe klasën e pestë.

Ndërsa tekstet nga klasa e pestë deri në të nëntën janë përdorur ato të mëparshmet. Ndërsa për vitin e ardhshëm ai thotë se janë lajmëruar se do të shpërndahen të gjitha tekstet nga klasa e parë deri në të nëntën.

“Herën e parë kur kemi shpërndarë libra ka pasur mungesë të teksteve shkollore nga klasa e parë deri në klasën e pestë, sidomos në klasën e parë kanë qenë 72 artikuj mungesë. Deri në klasën e pestë pra kemi pasur mungesë të disa teksteve shkollore, sepse nga kompanitë që na kanë furnizuar me tekste disa tekste i kanë sjellë më tepër e disa i kanë pasur aty-këtu ndonjë tekst që ka qenë në mungesë, por që janë kompensuar para dy ditëve në këtë komunë. Tash janë pajisur me tekste dhe nuk e kemi parë të arsyeshme t’i obligojmë t’i blejnë”, ka thënë Malaj për gazetën, duke shtuar se për klasën e parë janë kompletuar të gjitha, kurse për klasën e dytë dhe të tretë si dhe të katërt, sipas tij, mund të ketë ndonjë libër për të cilin është bërë porosia që ta sjellin. 

Mirëpo, ai thotë se që nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë kanë mundësi të kenë blerë tekste shkollore.

Malaj thotë se sipas drejtorëve të shkollave tekstet nga klasa e gjashtë në të nëntën janë të përdorshme.

Por, thekson se nuk është menduar që mund të ketë shtim të klasave. Kjo nuk është planifikuar me furnizim.

“Ka shkolla si ‘Lidhja e Prizrenit’ në Deçan që vitin e kaluar ka pasur një klasë të tetë (8), kurse këtë vit ka dy klasa të teta (8) dhe ne jemi munduar që librat që kemi pasur rezervë t’ua kompensojmë nxënësve mungesën”.

Malaj ka thënë se MASHT-i nuk ka paraparë që nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë të kenë tekste shkollore të reja këtë vit. Edhe pse ai nuk hedh poshtë mundësinë që mund të ketë edhe ndonjë tekst të dëmtuar për shkak se në tekste mund të ketë ndërhyrje në shënime.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK-u) thotë se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pajisen të gjithë nxënësit me libra të reja.

“Kemi kundërshtuar sepse prej klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë tekstet janë të vjetra dhe të dëmtuara, pra të nënvizuara nga nxënësit që i kanë përdorur ato”, ka thënë kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ai thotë se shteti i Kosovës nuk mund të kursejë në gjëra shumë elementare. “Librat duhet t’u dërgohen të reja nxënësve”.

Sipas tij, edhe mësimdhënësit e kanë vështirë ta mbajnë procesin mësimor me tekstet e vjetra dhe të plotësuara nga nxënësit që i kanë pasur ato në përdorim.

Megjithëkëtë, ai thotë se SBASHK-u ka marrë garanci se do të ketë mjaftueshëm tekste prej klasës së parë deri në të pestën.

Prandaj thotë se do të nisin të kontaktojnë edhe më mësimdhënës për të verifikuar se cilat tekste mungojnë.