Fushata zgjedhore në jug e qetë, në veri e tensionuar

Aktuale September 23, 2017 - 08:00

Fushata zgjedhore në Mitrovicë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, e cila do të zgjasë 30 ditë, ka filluar qetë në jug dhe me tensione në veri, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në jug, përkatësisht në Mitrovicë dhe në Skenderaj, fushatën në ditën e parë dhe të dytë e ka hapur PDK-ja, me premtime të mëdha për qytetarët e Kosovës.

Edhe në veri të Mitrovicës fushatën e parë e ka hapur PDK-ja, e cila kandidon edhe me kandidat për kryetar të Komunës Veriore të Mitrovicës, e që është një grua, Gonxhe Qaushi.  

Ndërkaq në veri që në fillim të fushatës disa nga subjektet politike kanë akuzuar Listën Serbe se është duke bërë presion të “paparë” mbi kandidatët e subjekteve politike të tjera që të tërhiqen nga gara, e që ka rezultuar me disa tërheqje.

LEXO EDHE: Demarkacioni e dërgon Haradinajn në Mal të Zi

Aq më keq, sipas subjekteve politike serbe në veri, kandidatët që po tërhiqen nga gara po detyrohen të mobilizohen për mbledhje të votave për Listën Serbe.

Në jug të Mitrovicës dhe në Skenderaj PDK-ja ka nisur fushatën me premtime të mëdha, shkruan tutje "Zëri".

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidatët për asamblistë dhe me kandidaten për kryetare të Mitrovicës së Jugut, Valdete Idrizi, kanë takuar qytetarët përgjatë rrugës kryesore të qytetit në jug.

Veseli tha se PDK-ja do të jetë çdoherë zë i fuqishëm i qytetarit, ndërsa kandidaten për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizin, e cilësoi si një nga personalitetet më të fuqishme dhe më të vendosura.

Ai premtoi se do ta zhvillojë Mitrovicën përmes investimeve, duke shtuar se Mitrovica ka nevojë për përparim, punësim dhe për investitorë.


Edhe në Mitrovicën e Veriut kandidatja e vetme shqiptare, Gonxhe Çaushi, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar fushatën. Bashkë me zyrtarë të kësaj partie në këtë komunë kanë vizituar banorët nëpër shtëpitë e tyre dhe kanë vizituar disa biznese të vogla.

Kandidatja për kryetare të Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi, së bashku me kandidatët për asamblistë të Mitrovicës Veriore kanë hapur fushatën zgjedhore, me çrast kanë takuar qytetarë të kësaj pjese për t’i dëgjuar nga afër për problemet dhe shqetësimet e tyre.

Gjithashtu takime pati edhe me biznese të ndryshme, ku së bashku diskutuan për problemet që i përcjellin gjatë punës.

Qytetarët shqiptarë të veriut të Mitrovicës kanë shprehur gatishmërinë që ta përkrahin Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që, sipas tyre, Gonxhe Çaushi ishte e vetmja e cila ua zgjati dorën që nga paslufta.

Në Skenderaj në hapje të fushatës kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se PDK-ja do të jetë subjekti politik i cili do t’i fitojë zgjedhjet në shumicën e komunave të Kosovës, ndërkohë që konstatoi se Drenica do të jetë edhe kësaj here në përkrahje të PDK-së.

Ai kërkoi nga kandidatët për këshilltarë komunalë të Skenderajt që të jenë të përkushtuar dhe t’u tregojnë qytetarëve se do të punojnë për ta bërë jetën e tyre më të mirë.

Veseli tha gjithashtu se PDK-ja do të jetë në përkrahje të kandidatit të pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, pasi që mu për shkak se Jashari ka kandiduar si i pavarur për kryetar të Skenderajt PDK-ja nuk ka kandiduar fare.

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës fushata ka nisur me tensione të mëdha në mes të subjekteve politike, kryesisht në mes të Listës Serbe dhe SDP-së së Oliver Ivanoviqit, e cila është në koalicion me listën “Për Zveçanin tonë” të Dragisha Milloviq, si dhe Partisë së Serbëve të Kosovës, që udhëhiqet nga Aleksandër Jabllanoviq.

Në një deklaratë për medie lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, ka akuzuar Listën Serbe se është duke bërë presion të paparë mbi kandidatët e subjekteve tjera politike që të tërhiqen dhe të kalojnë në mbështetje të kandidatëve të Listës Serbe.

Ivanoviq ka potencuar rastin e fundit kur mjeku Zoran Spasojeviq, kandidat i SDP-së për asamblist të veriut të Mitrovicës, është detyruar të tërhiqet për shkak të presionit që kanë bërë zyrtarët e Listës Serbe mbi të.

“Kjo tregon se këto nuk janë kurrfarë zgjedhjesh dhe nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë. Unë pres reagim e shpejtë të shtetit të Serbisë, sepse kjo më nuk ka kurrfarë kuptimi. Dr. Spasojeviq ka qenë njëri prej njerëzve më të fuqishëm në listën tonë, nuk mund ta marr me mend se çfarë presioni është bërë mbi të që është detyruar të tërhiqet. Ai është kandidati ynë i tretë që po tërhiqet nga lista jonë për shkak të kërcënimeve dhe frikësimit”, ka thënë Ivanoviq.

Ndërkaq vetë Spasojeviq, menjëherë pas largimit nga lista e SDP-së, i ka ftuar qytetarët që të votojnë për kandidatët e Listës Serbe.

Njëjtë sikurse Ivanoviq janë shprehur edhe Dragisha Milloviq, kandidat i Listës Për Zveçanin tonë dhe Aleksandër Jabllanoviq, kryetar i PSK-së.