Demarkacioni e dërgon Haradinajn në Mal të Zi

Aktuale September 23, 2017 - 07:52
Kryeministri Ramush Haradinajn vizitën e parë jashtë shtetit do ta realizojë në Tiranë dhe më pas pritet ta vizitojë Podgoricën, ku me autoritet shtetëror atje do ta diskutojë çështjen e demarkacionit të kufirit mes dy vendeve. Pala kosovare shpreson që kjo marrëveshje mund të rinegociohet, përderisa ajo malazeze e sheh si kapitull të mbyllur, shkruan sot Gazeta

Kryeministri Ramush Haradinaj së shpejti pritet ta vizitojë Malin e Zi, ku me zyrtarët shtetërorë në Podgoricë do të mundohet ta “sqarojë” çështjen e demarkacionit mes dy vendeve.

Kjo njëherësh do të jetë ndër vizitat e para të shefit të Qeverisë kosovare jashtë shtetit, pasi që ka qenë pikërisht ai që e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, të nënshkruar dy vjet më parë në Vjenë.

Haradinaj sa ishte në opozitë pretendonte se me këtë Marrëveshje të Demarkacionit Kosova i humb 8200 hektarë tokë, përderisa kufiri i Kosovës, sipas tij, do të duhej të jetë në Çakorr, shkruan tutuje "Zëri".

Pas marrjes së “timonit” të Qeverisë Haradinaj shkarkoi Komisionin për Demarkacion me në krye Murat Mehën dhe në vend të tij emëroi ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili po ashtu e kundërshtonte një Marrëveshje të tillë të Shënimit të Kufirit me Malin e Zi.

Matoshi: Haradinaj së pari viziton Tiranën, prioritet është edhe Podgorica

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Halil Matoshi, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se pas vizitës së parë që do ta ketë në Tiranë kryeministri Haradinaj do të shkojë në Podgoricë, ku do të takohet me krerët e shtetit të Malit të Zi.

“Sigurisht që kryeministri Haradinaj e ka në agjendën e tij vizitën në Malin e Zi. Por më 27 të këtij muaji do të jetë në Tiranë, ku do të takohen me kryeministrin, presidentin dhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkaq, në takimet e radhës prioritet do të jetë Podgorica, por nuk kemi konfirmim se kur mund të ndodhë kjo, por do të ndodhë në afatin më të shkurtër optimal”, ka thënë ai.

Matoshi tha se gjatë vizitës së kryeministrit në Mal të Zi do të diskutohet çështja e ratifikimit të demarkacionit.

“Nuk mund të themi paraprakisht se çfarëh do të jetë tema e diskutimeve, por sigurisht që pos marrëdhënieve shumë të mira mes dy palëve do të preket edhe tema e ratifikimit të demarkacionit”, ka thënë Matoshi.

Edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, gjatë intervistës që ka dhënë të enjten për gazetën “Zëri” ka deklaruar se ndër vizitat e para të kryeministrit Haradinaj do të jetë Mali i Zi.

“Është një marrëveshje mes dy vendeve, kështu që kam dëgjuar në takimin tim me kryeministrin se ai po e trajton me shumë kujdes këtë çështje, e kam dëgjuar edhe kur kam takuar ministrin e Jashtëm se e gjithë Qeveria për momentin është duke eksploruar mënyra të ndryshme dhe unë jam e sigurt se, sipas asaj që na është thënë, njëra nga vizitat e para të këtyre zyrtarëve do të jetë Mali i Zi, sepse ky është vendi ku çështja duhet të trajtohet”, ka thënë Apostolova.

Qorrolli: Qeveria ta refuzojë Demarkacionin me votë në Kuvend

Vigan Qorrolli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka përkrahur paralajmërimin që Haradinaj ta vizitojë Malin e Zi, duke thënë se vetëm takimi dhe bashkëbisedimi mes dy homologëve mund ta zgjidhë këtë çështje.

“Hapi i radhës në kuptimin diplomatik është që zotëri Haradinaj ta takojë homologun e tij nga Podgorica, z. Markoviq dhe kjo do të ishte ideale që të dyja palët, me ndërmjetësimin e BE-së, të takohen ne Bruksel, qoftë në selinë e BE-së, qoftë në selinë e NATO-s dhe në këtë mënyrë ta arrinin një ujdi. Çështjet e kufirit janë më tepër çështje të marrëveshjeve dhe të negocimit mes palëve, të cilat pastaj do të mundë t’u hapnin rrugë edhe çështjeve teknike. Me themelimin e Komisionit të ri kam frikën që Qeveria e Kosovës vetëm do të tentojë ta zvarrisë çështjen, por jo ta zgjidhë atë”, ka thënë ai.

Qorrolli më tutje tha se për të arritur deri tek rinegocimi Qeveria e Kosovës duhet ta rrëzojë me votë marrëveshjen aktuale.

“Nëse realisht Qeveria e Kosovës ka vullnet për të lëvizur përpara dhe për t’ia hapur rrugën liberalizimit të vizave, që është kushti i mbetur nga BE-ja për këtë çështje, atëherë Qeveria e Kosovës duhet që ta refuzojë me votë në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj ai t’i hapë rrugë negocimit të një marrëveshjeje të re me Malin e Zi”, ka përfunduar ai.  

Analistët: Marrëveshja nuk ndryshohet pa bashkëpunim me Malin e Zi

Ndërsa Imer Mushkolaj, njohës i çështje politike, tha për “Zërin” se çdo tentim për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit pa bashkëpunuar me Malin e Zi është i kotë.

“Pa Malin e Zi çdo tentim për të ndryshuar çfarëdo qoftë në marrëveshje është i kotë. Zgjidhja e çështjes së demarkacionit varet nga vullneti i Malit të Zi për të ndihmuar”, ka thënë ai.

Mushkolaj më tutje tha se kryeministri Haradinaj duhet t’i shqyrtojë mundësitë që çojnë përpara dhe jo të bëjë veprime të njëanshme, pasi sipas tij veprime të tilla e thellojnë problemin.

“Në këtë rast kryeministri duhet të bisedojë hapur për ta parë mundësinë se si mund të shkohet tutje me këtë çështje. Veprimet e njëanshme nuk çojnë askund dhe vetëm sa e thellojnë problemin”, tha ai.

Kurse Haki Abazi, njohës i çështjeve politike, theksoi se Kosova ka dy opsione: ratifikimin e Marrëveshjes në Parlament ose Arbitrazhin Ndërkombëtar. Ai e quajti të domosdoshëm bashkëbisedimin me Malin e Zi.

“Bashkëbisedimi me Malin e Zi është i domosdoshëm. Çështja e demarkacionit ka hapur një kapitull të ri me Malin e Zi, i cili ka njohur Kosovën dhe kjo është një punë e madhe dhe për t’u respektuar. Marrëveshja për Demarkacionin e ka hapin e ratifikimit nga Parlamenti e që është domosdoshmëri. Dhe në këtë rast janë dy opsione, rinegocimi apo Arbitrazhi Ndërkombëtar dhe të dyja opsionet janë të mirëseardhura për të mos acaruar marrëveshjet”, ka thënë ai.

Përveç çështjes së demarkacionit, për të cilën Abazi tha se është proceduar gabim, ai tha se edhe çështja e pakicës malazeze në Kosovë vazhdon të jetë problem.

Ai ka kërkuar që populli malazez në Kosovë të njihet me Kushtetutë, ashtu siç njihen popujt tjerë, kurse demarkacioni të hiqet nga agjenda e diskutimit.

“Pakica malazeze në Kosovë e ka për interes të njihet me Kushtetutë, ashtu siç janë serbët, turqit, ashkalinjtë e goranët. Nga ky proces i komplikuar sigurisht që tani Mali i Zi do ta kërkojë një gjë të tillë dhe mendoj që në negociata demarkacioni duhet hequr nga agjenda dhe duhet diskutuar çështjen e barazisë së pakicës malazeze me pakicat tjera dhe një modifikim të numrave të përfaqësuesve serbë në Parlament dhe në Qeveri për të mos acaruar marrëdhëniet”, ka thënë Abazi.