Bëhet me shtëpi të re familja e cila jetonte në shtëpinë prej balte (FOTO)

Aktuale September 22, 2017 - 17:40

Pas artikullit të botuar në gazetën “Zëri” me 24 qershor të këtij viti me titull “Familja që e pret Bajramin pa bukë në sofër”, familja Fazliu, e cila jetonte në fshatin Brecë të Podujevës, në kushte të rënda është bërë me shtëpi të re.

Nuk kanë kaluar as dy muaj nga raportimi i gazetës për gjendjen e kësaj familjeje, dhe nga donatorët i është ndërtuar shtëpia e re në fshatin Gllavnik, raporton Zeri.info.

Familja pesanëtarëshe e Hakif Fazliut “Zëri” pat raportuar se jeton jo vetëm në varfëri të skajshme, por edhe me gjarpërinj e minj që hyn e dalin lirshëm në shtëpinë prej balte të ndërtuar një shekull me parë dhe rrezikonin jetën e tre fëmijëve të tij.

Hyra dhe Hakifi me tre fëmijët e tyre tash e tutje do të gëzojnë shtëpinë tri dhomëshe, e cila është ndërtuar dhe në afërsi të shkollës.

Hakif Fazliu ka falënderuar donatorët që ndihmuan që ai dhe familja e tij të bëhen me shtëpi të re.

Ai tha se i gëzohet edhe më shumë ndërtimin të shtëpisë pranë shkollës ku fëmijët e tij do të mund ta vijojnë atë pa u rrezikuar nga kafshët e egra nëpër rrugët malore që në fshatin Brecë detyroheshin të kalonin nëpër to për të shkuar në shkollë.

Mirëpo, ata tani kanë edhe  një apel që qytetarët të cilët kanë mundësi ekonomike ose mobilje që mund t’i përdorin t’ua dërgojnë që ta ndihmojnë  për të mobiluar shtëpinë e re.

Këta janë numrat kontaktues të familjes Fazliu: 045/ 584 - 817 si dhe në 045/ 597 - 844

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image