Hiqet nga përdorimi gazi që dyshohet se shkaktoi vdekjet në QKUK

Aktuale September 22, 2017 - 16:34

Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, në krye me Curr Gjocajn ka marrë sot vendim që të heq nga përdorimi gazin Oksidull, me të cilin pacientët kanë kryer intervenimet në sallën e operacionit në QKUK.

Ky vendimi i SHSKUK-së ka ardh pas raportimit për tri vdekjet e dyshimta në QKUK që kanë ndodhur me datën 7 shtator të këtij viti e që dyshohet se ato vdekje kanë ardhur si pasojë e përdorimit të gazit Oksidull (N20) të cilin e ka prodhuar pa licencë kompania “Bubeari Komerc”. Ndërkohë që sallat operative në klinikën e Kirurgjisë sipas kësaj zyre ende nuk janë futur në përdorim.

Lajmin për Express e ka konfirmuar vetë zyra e drejtorit të SHSHUK-së, Curr Gjocaj.

"Zyra e drejtorit të  përgjithshëm ju njofton se është hequr në tërësi nga përdorimi gazi oksidull, deri në një vendim tjetër nga organet kompetente.

Operacionet jo emergjente vetëm në bllokun e klinikave kirurgjike vazhdojnë të jenë pezulluara, pra të mos  kryhen" thuhet në përgjigjen që zyra e drejtorit të SHSKUK'së i ka dhënë sot gazetës.

E prokuroria e Shtetit, në një përgjigje dhënë Expressit ka thënë se është duke i vazhduar hetimet  në lidhje me këtë rast dhe se për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar.

Organet e hetuesisë thonë se po i presin analizat e autopsisë për tri viktimat, në mënyrë që të japin më shumë detaje për rastin.

“ Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke zhvilluar hetime në rastin konkret.

Jemi në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të vdekurit, vdekja e të cilëve është cilësuar si e dyshimtë.

Sa i përket rasteve tjera të raportuara në Polici, për momentin nuk kemi informata se çfarë kanë vepruar ata”, thuhet në Përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit për Express.

Ndërkaq, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ( IMK ) i ka thënë Expressit se ende nuk ka diçka konkrete për rezultatet e analizave të autopsisë.

Thotë se po e presin Ministrinë e Shëndetësisë që konkretisht tu kërkojnë atyre detaje rreth autopsisë.

Ndërkohë që analizat e tre paciente të vdekur nuk ndihet se a do të kryen në Kosovë apo jashtë saj.

“Janë duke shqyrtuar mundësitë për t’i dërguar analizat jashtë vendit për shkak të rastit të komplikuar”, ka thënë Gërxhaliu.