Prishtina shënon 'Ditën pa Vetura' (FOTO)

Aktuale September 22, 2017 - 11:01

Sot, në vendin tonë po shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, raporton “Zeri.info”.

Aktiviteti “Në qytet pa makina”, po organizohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinorë në bashkëpunim me komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës dhe shoqëritë civile si, Let’s Do It Kosova.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të paktën ditën e sotme të mos përdoren mjetet transportuese të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Të pranishmit u nisën me biçikletat e tyre drejt rrugëve, Garibaldi dhe Xhorxh Bush të cilat janë të bllokuara sot për qarkullim të automjeteve.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha se ne si shoqëri duhet të mësohemi të përdorim mjete transportuese që nuk emetojnë lëndë të dëmshme.

“Unë si ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor zotohem se do të përkushtohem në reduktimin e ndotjes së ajrit. Përmes sistemit të menaxhimit të cilësisë së ajrit dhe metodave konkrete, krijimit të zonave të gjelbëruara si dhe menaxhimit të mbeturinave, do të tentojmë të përmirësojmë mjedisin në vendin tonë. Përdorimi i biçikletave, transportit publik dhe në të ardhmen përdorimi i makinave elektrike do ta përmirësonte ajrin në vendin tonë”, tha Albena Reshitaj.

Në anën tjetër, Luan Hasanaj nga Let’s do it Kosova iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të përdorim sa më pak makinat. Sipas tij, komunat e Kosovës duhet të shtojnë shtigjet për biçikleta.

“Sot po e shënojmë ditën pa makina në vendin tonë. Ju bëjmë thirrje të gjithëve të  përdorin sa ma pak makina. Në Kosovë, shtigjet për biçikleta nuk ekzistojnë, ne ju bëjmë thirrje komunave të merren seriozisht me këtë çështje. Prishtina është njëra ndër vendet me ajrin më të ndotur në Evropë. Ne si organizata jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë çështje përmes aktiviteteve sensibilizuese”, tha Luan Hasanaj./Zeri/.

Image
Image