Asociacioni, sipas Kushtetueses (VIDEO)

Aktuale September 22, 2017 - 08:04

(Vijon nga numri i kaluar i gazetës “Zëri”)

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë vazhdimit të dytë të intervistës për “Zërin” ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me ligjet e Kosovës, si dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ata insistojnë se institucioni nuk do të jetë një strukturë paralele e serbëve në Kosovë.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka inkurajuar drejtuesit e institucioneve vendore që ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por kjo, sipas saj, duhet të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Këto komente Apostolova i ka bërë në vazhdimin e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Zëri”, duke shtuar se për një marrëveshje të tillë janë pajtuar dy palët gjatë bisedimeve në Bruksel.

Diplomatja Apostolova ka shtuar se edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, në Parlamentin e Kosovës ka theksuar se presin që AKS-ja të mos jetë një strukturë paralele, por me këtë do të inkorporohen serbët e Kosovës në institucione dhe kjo do të jetë e dobishme për të gjitha palët. “Pra, kemi të bëjmë me një situatë ‘Win-Win, porse si do të merret kjo Qeveri me këtë çështje do të jetë shumë e rëndësishme për ne, veprime këto që do t’i monitorojmë gjatë ditëve të ardhshme”.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” mes të tjerash ajo ka folur edhe për zgjedhjet e 22 tetorit, dialogun që po zhvillojnë presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, për perspektivën e vendeve të Ballkanit në BE, etj.

Zëri: Nëse ka fluks të ri të emigrimit a i humbin përfundimisht Kosovës shpresat për liberalizim të vizave edhe nëse e kalon Marrëveshjen e Demarkacionit?

Apostolova: Unë nuk do t'i lidhja këto dy çështje. Sigurisht që është e rëndësishme, por do të thosha se emigracioni është më i lidhur me gjërat e tjera të rëndësishme për Kosovën, të cilat janë: zhvillimi ekonomik, sistemi i mirë arsimor dhe gjithashtu sundimi i ligjit. Sepse emigrantët, siç kemi parë, janë kryesisht të rinj. Këta njerëz dëshirojnë të qëndrojnë këtu, nëse ata kanë sigurisht ambientin e duhur për të gjetur punë dhe për t'u arsimuar mirë për të qenë një ditë konkurrues në tregun evropian. Kështu që nuk do ta lidhja domosdoshmërish emigrimin me liberalizimin e vizave, sepse për liberalizimin e vizave kemi dhënë shumë qartë dy kritere të mbetura: njëra është vota për Demarkacionin dhe tjetra është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, emigrimi është një shenjë tjetër që është mjaft shqetësuese për ne dhe prapë po e theksoj, reformat që ne po kërkojmë dhe për të cilat ne jemi shumë të angazhuar në këtë moment. Kështu që unë inkurajoj shumë këtë Qeveri që të punojë ngushtë me ne dhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë këtu për të ndihmuar sigurisht që këto trende të futen në reformat ekonomike në rrugën e duhur, sepse rinia e Kosovës e meriton këtë dhe mund t'ju them se angazhimi ynë për këtë është shumë substancial. Nuk është ajo që unë nuk dua ta theksoj përsëri, është e qartë se BE-ja është donatori më i madh, partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe unë e them BE-ja si mbështetësja më e madhe e Kosovës çdo vit jep 100 milionë euro. Vetëm dua të theksoj dhe ta tërheq vërejtjen se edhe në Evropë ka krizë, ka një krizë financiare, kështu që disa nga motrat dhe vëllezërit tanë atje nuk po bëjnë jetë të mirë. Pra, këta 100 milionë euro në vit janë një ndihmë shumë bujare. Kjo nuk është gjë pa vlerë, kjo nuk është bamirësi, është diçka shumë substanciale dhe Zyra ime këtu dhe unë gjatë viteve të ardhshme do të jemi jashtëzakonisht striktë se si ne disbursojmë këto para. Sepse nëse po japim këtu këtë mbështetje bujare, ne gjithashtu dëshirojmë që kjo mbështetje t’i ndjekë procedurat transparente evropiane dhe për këtë arsye sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, nepotizmi, mënyra transparente për ta bërë prokurimin, financimi i partive dhe të gjitha këto janë kaq të rëndësishme dhe të cilat i marrim afër zemrës dhe prandaj jemi aq të hapur, duke e ngritur zërin për këtë.

Zëri: Fushata për zgjedhjet lokale tashmë ka filluar. Shtetet e QUINT-it i kanë kërkuar KQZ-së që të mos i certifikojë kandidatët të cilët janë nën hetime. A ka pasur tendenca për certifikime të individëve të tillë nga KQZ-ja?

Apostolova: Bashkimi Evropian është duke vëzhguar zgjedhjet në Kosovë qe një kohë të gjatë. Mendoj se ne jemi të vetmit, të cilët me të vërtetë jemi të përfshirë në to që nga viti 2014, kështu që çdoherë kur kemi një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve bëhet raporti dhe çdoherë në këtë raport thuhet se së pari duhet të ketë ndryshime të thella në amendamentet e sistemit zgjedhor dhe pjesa e dytë e këtij modifikimi të sistemit zgjedhor është sigurisht zbatimi i plotë i Ligjit Zgjedhor, i cili thotë shumë qartë që personat të cilët janë të dënuar për krime gjatë 3 vjetëve të fundit nuk duhet të certifikohen. Kështu që nuk është vetëm QUINT-i, por të gjitha vendet kanë bërë një apel të tillë. Ne si Zyrë kemi bërë deklaratë, ne ia kemi bërë me dije këtë Valdete Dakës nga KQZ-ja dhe gjithashtu e kemi përgëzuar atë pasi arritën të decertifikojnë 85 kandidatë. Do të dëshiroja të lavdërojë trendin pozitiv, sepse siç e kuptoni mirë ne nuk mund të ndërhyjmë në marrëdhëniet e brendshme dhe në legjislacionin e këtij vendi, por jemi këtu për të ngritur zërin tonë kur ka diçka që mendojmë se ajo duhet të përmirësohet, që duhet të hyjë në rrugën e praktikave të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

80 vëzhgues nga BE-ja për zgjedhjet lokale

Zëri: A do të ketë vëzhgues ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit?

Apostolova: Tashmë kemi vendosur misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve, i cili drejtohet përsëri nga një anëtar shumë i shquar i Parlamentit Evropian, z. Peterle, i cili është i njëjti që kryesoi edhe me misionin vëzhgues për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Ne kemi takuar tashmë vëzhguesit që janë këtu në vend. Do të ketë rreth 70-80 vëzhgues dhe ata do të mbulojnë natyrisht të gjitha vendet e mundshme. Ne po konsiderojmë seriozisht për të marrë pjesë me korin diplomatik dhe siç kam njohuri nga kolegët e mi të OSBE-së, ata gjithashtu do të përfshihen.

 Zëri: Gjatë muajve në vijim do të publikohet Raporti i ri i Progresit për Kosovën. Në cilat fusha mendoni se nuk ka pasur përparim e në cilat është punuar mirë?

Apostolova: Unë thjesht vazhdoj të përsëris për disa ndryshime në rregullat e procedurës për raportin e vendeve të zgjerimit. Kështu që raporti nuk pason si deri më tani në muajin e ardhshëm, por kësaj radhe do të vijë në prill të vitit 2018. Prapë mendoj se në rastin e Kosovës ajo në një mënyrë ka një rol pozitiv, sepse do t'ua japë mundësinë Qeverisë, Kuvendit, institucioneve për të treguar se ata janë seriozë në agjendën e reformave dhe që ata mund të ofrojnë diçka në këtë muaj që vjen. Ne do të ndihmojmë, zyra ime është tashmë në komunikim me disa nga ministritë ku ne shohim vërtet një ngecje, po ashtu po nxisim shumë për alokimet e IPA-s, të cilat duhet të kalojnë edhe përmes Parlamentit, sepse ka të bëjë me një mbështetje buxheti që vendi ka nevojë shumë. Kështu që nëse ministritë dhe këto institucione angazhohen me të vërtetë seriozisht mendoj se do të mundemi deri në prill të raportojmë për disa përparime.  

Zëri: Është thënë se Kosova rrezikon t’i humbasë rreth 70 milionë fonde nga IPA-ja për shkak të mosvazhdimit të marrëveshjes me FMN-në. A kanë humbur të gjitha afatet kohore për pranimin e këtyre fondeve si pasojë e vonesës së formimit të institucioneve?

Apostolova: Unë mund të flas për alokimet që vijnë prej nesh, sepse FMN-ja është një organizatë tjetër dhe nuk dua të flas në emër të tyre, por siç e kam thënë tashmë paratë tona nga IPA 2016, të cilat janë instrumenti për paraanëtarësim, 70.5 milionë euro janë të ndara në dy shuma. Nga njëra anë kemi 45 milionë euro, ku tashmë ekziston një vendim financiar i marrë nga ana jonë, por në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës tashmë e ka nënshkruar këtë marrëveshje financiare, kështu që e vetmja gjë që nevojitet është që kjo të kalojë në formën e një ligj në Kuvend. Por ka edhe 25 milionë euro të tjera për të cilat Qeveria ende nuk e ka nënshkruar këtë vendim financiar dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse të gjitha këto procedura duhet të finalizohen para dhjetorit të 2017-s dhe duke ditur se disa nga këto institucione mbyllen diku në mes të dhjetorit kjo procedurë duhet të bëhet në javët e ardhshme.

Zëri: A ka ndërlidhje mes fondeve tuaja dhe marrëveshjeve që i ka vendi me FMN-në?

Apostolova: Kur ne disbursojmë në mbështetje të buxhetit zakonisht shikojmë në stabilitetin financiar të vendit, kështu që nëse ekziston një program i FMN-së sigurisht ky është një sinjal shumë i fortë dhe kjo jep një besueshmëri të madhe të stabilitetit financiar. Nëse nuk ka një marrëveshje të tillë dhe program vijues, atëherë sigurisht duhet të bëhet një vlerësim.

Zëri: Në bisedimet me Serbinë tash do të jenë të përfshirë presidentët, Thaçi dhe Vuçiq. A është i pranueshëm për BE-në ky format i ri i bisedimeve dhe cili do të jetë roli i Qeverisë së re në bisedime?

Apostolova: Të dy presidentët u takuan dy herë në dhjetor në prani të përfaqësueses sonë të lartë. Takimi i parë ishte një takim përgatitor ku ata sapo kishin marrë në konsideratë se ku qëndrojnë me disa nga përkushtimet dhe takimi i dytë është më konkret, ku tashmë është njoftuar se një lloj dialogu i brendshëm do të pasojë pa dyshim në të dyja anët dhe diskutimi se cila do të jetë e ardhmja e këtij dialogu. Ne dëgjuam fjalë mjaft domethënëse nga të dyja palët. Unë nuk do të marr guxim për të vlerësuar se cilat figura do ta përfaqësojnë Kosovën në dialog. Mendoj se kohët e fundit presidenti kishte një takim me shoqërinë civile, ku ai fliste për herë të parë në lidhje për dialogun, ndau pikëpamjet e tij, kështu që do të thosha se është një angazhim në të dyja anët, nga Serbia dhe nga Kosova.  Ne jemi thjesht lehtësues të dialogut. Përfaqësuesja jonë e lartë mbështet forumin, ku të dyja palët takohen dhe shkëmbejnë pikëpamjet. Takimi i fundit ishte, do të thosha, mjaft i suksesshëm sepse tashmë u ofruan angazhime konkrete për zbatimin e Marrëveshjes së Drejtësisë. Kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nga kjo do të përfitojnë të gjitha palët duke përfshirë veriun dhe ju e dini që drejtësia është deklaruar gjithmonë si një nga sferat që mungon për shumë njerëz dhe jetën e tyre të përditshme. Kështu që nëse ju mund të keni prokurorët e përfshirë në sistemin e Kosovës, kjo do ta lehtësojë shumë jetën e njerëzve jo vetëm në anën e Kosovës, por edhe në anën e serbëve të Kosovës. Kështu që mendoj se ka përparim që është bërë, megjithatë kjo më tutje duhet të shtjellohet se si saktësisht, për shembull, presidenti do të dëshironte të formonte ekip rreth vetes nëse ai e shpall atë që ka në mendje, se cilat do të jenë detajet, kjo është ende në shqyrtim e sipër dhe ne jemi duke pritur me padurim që kjo të ndodhë shumë shpejt.

Zëri: A ka ardhur momenti që ky dialog të vijë drejt fundit dhe cili duhet të jetë epilogu i tij?

Apostolova: Ne si lehtësues të këtij dialogu do të jemi më të lumtur nëse ky dialog arrin në një fund të suksesshëm, por ju duhet të dini se agjenda e dialogut vendoset nga të dyja palët dhe është dakorduar midis Serbisë dhe Kosovës. Pra, nëse Serbia do ta vendosë atë në agjendë, ose Kosova, natyrisht do të jetë jashtëzakonisht e mirëpritur nga lehtësuesja e bisedimeve. Megjithatë, momentalisht unë vlerësoj se të dyja palët janë ende duke e krijuare vizionin e tyre. Por ana pozitive, do të doja të përmendja se tashmë ka bisedime që japin disa nocione për të ardhmen dhe kjo është diçka shumë pozitive dhe pastaj le të jemi të qartë se dialogu është një angazhim që përfshin të dyja palët. Pala kosovare ka zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore si pjesë e MSA-së, e cila është një angazhim ndërkombëtar. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë, sepse ata kanë qenë në një kapitull të veçantë për negociatat e tyre të pranimit, Kapitulli 35, ku progresi në dialog është shumë i rëndësishëm, kështu që të dyja palët kanë interes të përparojnë në këtë drejtim.

Zëri: A ka të ardhme në Bashkimin Evropian për Kosovën dhe Serbinë pa e njohur njëra-tjetrën?

Apostolova: Bashkimi Evropian ka si një nga parimet e tij udhëheqëse marrëdhëniet e mira fqinjësore, kështu që mendoj se kjo është përgjigjja.

Zëri: Shumë marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk po gjejnë zbatim si: Marrëveshja për Energjinë, për Telekomunikacionin, për Diplomat, për Lëvizjen e lirë (letërngjitëset), etj. Si do të obligohen palët për zbatimin e këtyre marrëveshjeve?

Apostolova: Siç thashë kjo është pjesë e angazhimeve ndërkombëtare, të cilat secila nga palët e ka pranuar me anë të MSA-së edhe tjetra Kapitullin 35. Kështu që sigurisht këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme, sepse këto marrëveshje do të ndryshojnë jetën e njerëzve. Këto marrëveshje do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve. Njohja e diplomave, çështja e targave të makinave janë çështje që po i shqyrtojmë. Janë ekipet teknike që po punojnë për secilën prej këtyre marrëveshjeve. Pra, nevojitet në të dyja anët një përpjekje dhe kjo përpjekje duhet natyrisht të mbështetet politikisht.

Zëri: Një marrëveshje tjetër që s’po gjen zbatim është edhe ajo për Asociacionin e Komunave Serbe, të cilën e kundërshton ashpër opozita. Si do të procedohet me këtë marrëveshje, të cilën edhe Haradinaj e kishte kundërshtuar sa ishte në opozitë?

Apostolova: Ne nuk duhet të harrojmë se ky angazhim është një nga marrëveshjet në dialog, me të cilin janë pajtuar të dyja palët. Kështu që në mënyrë që të jem mjaft e qartë për qëndrimin evropian, ne kemi inkurajuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por sipas ligjeve të Kosovës dhe duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu që përfaqësuesja e lartë e BE-së ka deklaruar këtu në Parlamentin e Kosovës se presim që AKS-ja të mos jetë një strukturë paralele, por të jetë diçka që sjell dhe inkorporon në të vërtetë serbët e Kosovës në institucionet që do të jenë të dobishme për të gjitha palët. Në komunat veriore, njerëzit që jetojnë atje do të ndihen më të sigurt, të drejtat e tyre do të sigurohen, mundësitë e tyre për të gjetur punë, le të themi se prosperiteti ekonomik do të jetë më i mirë dhe njëkohësisht në Kosovë të gjitha funksionet e rëndësishme si gjyqësori, Dogana, Policia do të mbulojnë të gjithë territorin e Kosovës. Pra, kemi të bëjmë me një situatë të ashtuquajtur “Win-Win”, porse si kjo Qeveri do të merret me këtë do të jetë shumë interesante dhe shumë e rëndësishme për ne, kështu që ne do të monitorojmë këtë në ditët e ardhshme.

Kosova është në Evropë

Zëri: Cila është perspektiva e vendeve të Ballkanit në BE?

Apostolova: Do të doja të them se Kosova është në Evropë. Perspektiva evropiane e Kosovës u potencua në nivel shumë të lartë në javët e fundit. Së pari kemi pasur deklaratën e përfaqësueses së lartë Mogherini në Forumin e Sigurisë në Bled, ku ajo ishte absolutisht e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë evropiane. E dyta dhe do të thosha se një mesazh shumë i rëndësishëm erdhi nga presidenti Juncker, i cili vetëm disa ditë më parë publikoi raportin vjetor të BE-së, ku ndër të tjera thekson shumë qartë se ekziston një perspektivë evropiane dhe tashmë ekziston një udhërrëfyes. Kështu që mendoj se ne duhet të ndihmojmë institucionet që të bëjnë sa më mirë punën e tyre dhe tani është në duart e politikanëve kosovarë, institucionet e Kosovës, që me të vërtetë të tregojnë se ata vërtet janë të përkushtuar ndaj agjendës evropiane. Së dyti një mesazh shumë i rëndësishëm erdhi nga presidenti Juncker, i cili para ca ditësh lansoi Raportin për Gjendjen e Shteteve dhe Letrën e Qëllimeve dhe një strategji. Për herë të parë u theksua se ka një perspektivë evropiane dhe një udhërrëfyes të qartë. Prandaj, kjo duhet shikuar hollësisht. Në natyrisht se duhet t’i ndihmojmë të gjitha institucionet për ta bërë më të mirën e mundshme dhe tani është në duart e politikanëve, të institucioneve të Kosovës për të treguar se janë të përkushtuar për agjendën evropiane. (FUND)