Raportet Kurti-Rikallo, ish-kreu i Vetëvendosjes thotë se nuk e njeh ministrin serb

Aktuale September 21, 2017 - 22:14

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mohuar se e njeh ministrin e ri të Bujqësisë së Kosovës, Nenad Rikallo, ani pse ky i fundit, që po akuzohet për keqtrajtimin e shqiptarëve gjatë luftës së fundit, ka thënë se bashkë me deputetin e VV’së e kishin themeluar një lëvizje të quajtur KAN.

“Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it”, kishte deklaruar Rikallo, nëpërmjet një komunikate, me anë të së cilës kishte mohuar akuzat ndaj tij për dhunë ndaj bashkëqytetarëve të tij në Prishtinë.

Por, Kurti këmbëngul se me Rikallon s’ka pasur kurrë kurrfarë raportesh. “Nuk më kujtohet Rikallo”, është shprehur ai, gjatë një interviste në KTV.

Rikallo “nuk mund të thotë se është bashkëthemelues i KAN’it”, ka thënë Kurti, teksa ka përmendur disa emra, të shqiptarëve e të të hujave, që, sipas tij, e kanë themeluar këtë lëvizje.

Kurti, po ashtu ka thënë se KAN nuk është themeluar më 2003, siç ka deklaruar Rikallo.

“KAN është themeluar më 1997, jo më 2003, prej aktivistëve ndërkombëtarë”, ka treguar Kurti.

Ish-kreu i Vetëvendosjes po ashtu i ka quajtur të dyshimta shpjegimet e Rikallos, në komunikatën nëpërmjet së cilës ka mohuar keqtrajtimin e shqiptarëve gjatë luftës.

“Arsyetimet e tij po më bëjnë të dyshoj më shumë në të”, ka thënë Kurti. Sipas tij, po ta kishte Rikallo ndërgjegjen e pastër, do t’i thërriste në takim familjet që e akuzuan, për t’ju thënë në sy se ishte i pastër.

“Është mirë që prokuroria ta vazhdojë procesin, duke e hetuar këtë rast, duke dëgjuar të gjithë dëshmitarët”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, është e domosdoshme që kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ta shkarkojë nga posti ministrin Rikallo.

“Përgjegjësinë e merr qeveria nëse nuk shkarkohet”, ka thënë Kurti.