Ramush Haradinaj formon ekipin për demarkacion, këta janë emrat

Aktuale September 21, 2017 - 16:14

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vendosur se kush do të jetë pjesë e ekipit të ri që do të merret me zgjidhjen e çështjes së demarkacionit.

Këtë e ka konfirmuar për Express, Riza Smaka, i cili është pjesë e ekipit. Ai është shprehur i sigurt se nuk do të dështojnë në misionin e tyre të ri. Thotë se do ta kryejnë punën me ndershmëri dhe korrektësi.

“Po unë jam pjesë e Komisionit të ri, pa dyshim e kemi vullnetin politik dhe profesional për ta kryer punën.

Jemi të përcaktuar që ta bëjmë këtë punë me ndershmëri me korrektësi në konformitet  me të dhënat historike, politike, etnografike, etnohistorike, me fjalë të tjera këtë punë do ta bëjmë me përkushtim dhe nuk mund të dështojë”, është shprehur për Express, Smaka. 

Ndërkaq, shtoi se menjëherë pas kësaj do të bëhet edhe konstituimi i Komisionit ku do të përcaktohet programi i punës dhe metodologjia e punës dhe siç tha ai, pastaj edhe do të veprojnë.

Smaka konfirmoi se pjesë e ekipit të ri për Demarkacionin, pas atij që e shkarkoi kryeministri i vendit në ditën e parë të punës së në zyrë janë:

Shpejtim Bulliqi, UP, kryesues 

Zejnullah Gruda, UP, anëtar 

Martin Berishaj, Universiteti i Lubjanës, anëtar 

Hamit Basholli, anëtar - gjeodet

Florim Isufaj, UP

Riza Smaka

Kujtojmë se Demarkacioni është kusht themelor që Kosovës t'i liberalizohen vizat.

Ramush Haradinaj, në mbledhje e parë të Qeverisë, ka propozuar shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion. /GazetaExpress