Veseli: Valdete Idrizi është ndryshimi i mirë i Mitrovicës (Foto)

Aktuale September 21, 2017 - 15:45

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidaten e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, kanë hapur fushatën elektorale në Mitrovicë duke vizituar “derë më derë” dhjetëra biznese të vogla dhe të mesme, ku kanë diskutuar për hapjen e perspektivës së re zhvillimore.

Duke ua kërkuar votën për Valdete Idrizin, Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është partia e vetme që ka forcën për ta ndryshuar vendin dhe për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të qytetarëve, sepse u ka prirë të gjitha ndryshimeve më të mëdha në vend.

“Ne do të shkojmë derë më derë dhe do t’i takojmë personalisht qytetarët për t’i dëgjuar prej tyre problemet, hallet dhe sugjerimet dhe për t’ua përcjellë drejtpërdrejtë ofertën tonë politike. Ne do u përgjigjemi kërkesave të qytetarëve për ndryshime, sepse e kemi dëshmuar që jemi e vetmja forcë e ndryshimit. U kemi prirë ndryshimeve më të mëdha në vend, në shtetbërje, shtetndërtim, në infrastrukturë, në bujqësi, në siguri e në çdo sektor të jetës. Do të vazhdojmë t’u prijmë ndryshimeve të reja që kërkohen në vend edhe sot”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka thënë se PDK-ja ka vizionin më të mirë për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës.

“Ne e kemi vizionin dhe platformën më të mirë për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe për sjelljen e investimeve që garantojnë perspektivë dhe vende të reja të punës”, ka thënë Idrizi.

Kryetari i PDK-së ka thënë se kandidatura e Valdete Idrizit është dëshmi e qartë e vullnetit për të ndryshuar dhe është ndryshimi i mirë i Mitrovicës, sepse në nivel vendi, ajo bashkë më 80 për qind të kandidatëve të tjerë të PDK-së në këto zgjedhje po kandidojnë për herë të parë.

I pari i PDK-së ka thënë se kandidatura e Valdete Idrizit për kryetare të Mitrovicës dëshmon edhe përpjekjen e PDK-së për të ndryshuar statusin e grave në shoqërinë tonë, duke ua dhënë rolin dhe rëndësinë që meritojnë.

Image

Image

Image

Image