Veseli: PDK-ja përkrah Bekim Jasharin për kryetar të Skenderajt

Aktuale September 21, 2017 - 12:24

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takua në Skenderaj strukturat e degës së PDK-së, si dhe kandidatët për asamblistë të këtij subjekti politik, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet e 22 tetorit, në të cilat PDK-ja pretendon t’i fitojë bindshëm, raporton “Zeri.info”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili gjatë gjithë kohës shoqërohej nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se PDK-ja do të jetë subjekti politik i cili do t’i fitojë zgjedhjet në shumicën e komunave të Kosovës, ndërkohë që konstatojë se Drenica do të jetë edhe kësaj here në përkrahje të PDK-së.

Ai kërkoi nga kandidatët për këshilltarë komunalë të Skenderajt që të jenë të përkushtuar dhe t’u tregojnë qytetarëve se do të punojnë për ta bërë jetën e tyre më të mirë.

Veseli tha gjithashtu, se PDK-ja do të jetë në përkrahje të kandidatit të pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, pasi që mu për shkak se Jashari ka kandiduar si i pavarur për kryetar të Skenderaj, PDK-ja nuk ka kandiduar fare.

“Ne kemi vendosur që ta përkrahim kandidaturën e Bekim Jasharit për kryetar të Skenderajt, pasi që PDK-ja nuk ka kandiduar fare, vetëm për shkak të kësaj. PDK-ja do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve në shumicën e komunave të Kosovës. Drenica si gjithmonë është me PDK-në dhe nuk ka asnjë dyshim se edhe kësaj radhe do të jap voten e vet për PDK-në dhe kandidatët e saj për asamblistë”, tha kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili më pas bëri një shëtitje në sheshin “Adem Jashari”, ndërsa para shtatores së ikonës së luftës së UÇK-së bëri fotografi me të gjithë kandidatët e PDK-së për Kuvendin e Skenderajt. /ZËRI/