Apostolova: Pa votimin e Demarkacionit dhe pa luftimin e korrupsionit nuk hiqen vizat

Aktuale September 21, 2017 - 12:21

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka theksuar se sundimi i ligjit është prioriteti më i rëndësishëm i tyre, prandaj janë të kufizuar në komunikimet dhe takimet me politikanë-zyrtarë të lartë, që kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ajo ka folur edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushte këto për të cilat BE-ja nuk do të bëjë kompromis për heqjen e vizave.

LEXO EDHE: Apostolova: Nuk komunikoj me politikanë të akuzuar

Zëri: Qeverinë e re e presin sfida të mëdha, mes të cilave edhe miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit si kusht për liberalizimin e vizave me BE-në. A mund të ketë ndonjë zgjidhje alternative për Demarkacionin, pasi që kjo Qeveri nuk i ka 2/3 e votave në Kuvend për ta kaluar këtë Marrëveshje?

Apostolova: Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë dhe ka folur përmes nivelit më të lartë, le të themi përmes hierarkisë evropiane. Kemi thënë se jemi shumë të vendosur për faktin se janë dy kushtëzime për liberalizimin e vizave; njëri Demarkacioni dhe i dyti është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është një proces që duhet të vijojë. Pra, se si do të arrihet pajtimi rreth Demarkacionit, që është një Marrëveshje ndërmjet dy vendeve, Malit të Zi dhe Kosovës. Ne nuk jemi ata që do ta propozojmë zgjidhjen, ne kemi insistuar që Demarkacioni i kufirit të votohet sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi jemi këtu dhe po e shohim se sa e rëndësishme është për të rinjtë e këtij vendi. Sidoqoftë, se si Qeveria tani me këtë Parlament mbështetës do ta kalojë Ligjin e Demarkacionit kjo është puna e tyre. Pra, përsëri e theksoj se për ne është me rëndësi rezultati përfundimtar. Duhet ta kemi Demarkacionin e votuar. Nëse të dyja vendet vendosin të bëjnë marrëveshje të ndryshme kjo është çështje e tyre. Ne do ta pranojmë atë, por ata duhet të jenë të vetëdijshëm se pa një zgjidhje përfundimtare për Demarkacionin dhe për të arriturat në luftën kundër korrupsionit Bashkimi Evropian nuk do ta marrë asnjë vendim politik për të hequr dorë nga këto dy kushtëzime...(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri)