Aktuale

Haradinaj dhe Ismaili premtojnë ndryshim të gjendjes së shëndetësisë

Haradinaj dhe Ismaili premtojnë ndryshim të gjendjes së shëndetësisë
21 shtator 2017 • 12 : 06


Kryeministri i  Kosovës, Ramush Haradinaj, në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një takim pune me menaxhmentin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe me drejtorët e Klinikave.

Në vizitën e tij të dytë që nga marrja e mandatit, kryeministri Haradinaj është zotuar se gjatë qeverisjes së tij shëndetësia do të jetë prioritet, ndërsa punëtorët shëndetësor i vlerësoi si heronj të Kosovës.

Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, dhe drejtorët e Klinikave e njoftuan kryeministrin me punën që po bëjnë punëtorët shëndetësorë për t’ju shërbyer qytetarëve të vendit, por edhe me problemet me të cilat përballet sektori shëndetësor në përgjithësi, dhe QKUK-ja në veçanti.

“Kemi sfida, kemi probleme, por fakti që ju kryeministër brenda 10 ditëve bashkë me ministrin e Shëndetësisë e vizitoni këtë institucion, për ne punëtorët shëndetësor është satisfaksion se shëndetësia do të jetë prioritet”, tha drejtori Gjocaj.

Kryeministri Haradinaj, tha se në shëndetësi ata që janë të ngarkuar me përgjegjësi menaxheriale, mjekët, personeli mjekësor, bëjnë punë të mundimshme, të vështirë, dhe janë heronj të Kosovës.

“Ajo që na motivon dhe arsyeja pse jemi këtu, është se ka defekte të caktuara, ka vakume besoj, ka plot detyra të përbashkëta që na dalin, duke filluar nga ne, nga politika, nga Qeveria, nga vendimmarrësit, por edhe të gjithë të tjerët. Sot, besoj se e kemi arritur një dakordim që do të ballafaqohemi me këto defekte së bashku”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, falënderoj kryeministrin për përkushtimin e tij për të ndihmuar sektorin shëndetësor dhe gjithë personelin shëndetësor për punën dhe vullnetin e tyre në shërbim të qytetarëve. “Ishte një takim për të folur për problemet e shumta në mjekësi, në shëndetësi, të cilat janë mbledhur me vite, por që tani ne kemi një vullnet për t’i bërë zgjidhje atyre. Natyrisht që kjo nënkupton që ne do të marrim përgjegjësitë tona, por edhe gjithë sektori i shëndetësisë të merr përgjegjësitë e veta, të rris llogaridhënien, transparencën, menaxhimin më të mirë, që të kemi shërbime më të mira”, tha ministri Ismaili.
 

© zëri.info