Deputeti Berisha Dënon ‘Gjuhën Urrejtëse’ të Zyrtarit të Ministrisë

Aktuale September 21, 2017 - 11:41

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka shprehur indinjatën e tij të thellë ndaj gjuhës urrejtëse dhe ofenduese sipas tij të përdorur nga kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit pranë Ministrisë së Mjedistit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Morina.

“E dënoj ashpër ofendimin dhe gjuhën e ulët të përdorur nga z. Morina”, ka thënë deputeti nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane.

Sipas Berishës, Ilir Morina ka përdorur fjalor urrejtës si reagim ndaj qëndrimit të tij politik dhe publik kur kishte deklaruar se nëse Qeveria Haradinaj nuk ndërmerr asnjë veprim për ndryshimin e gjendjes së komunitetit të tij ai do të detyrohet të mos vazhdojë ta mbështesë këtë Qeveri.

Deputeti Berisha ka thënë se duke komentuar në një raport në media rreth qëndrimit të tij, Ilir Morina kishte përdorur shprehjet “Gabel” dhe “Mielli i Gabelicës”.

Më tej, ai ka thënë se është e patolerueshme një ofendim me qasje raciste nga një profesor universitar dhe zyrtar i Ministrisë.

Prandaj, Veton Berisha ka kërkuar nga ministrja Albena Reshitaj dhe menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” që të marrin masa ligjore ndaj të punonjësit të tyre, Ilir Morinës.