Apostolova: Nuk komunikoj me politikanë të akuzuar

Aktuale September 21, 2017 - 05:43
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka theksuar se sundimi i ligjit është prioriteti më i rëndësishëm i tyre, prandaj janë të kufizuar në komunikimet dhe takimet me politikanë-zyrtarë të lartë, që kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë. Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ajo ka folur edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushte këto për të cilat BE-ja nuk do të bëjë kompromis për heqjen e vizave, transmeton zeri.info.

Sundimi i ligjit është prioriteti më i rëndësishëm për Bashkimin Evropian në Kosovë, prandaj është shumë me rëndësi që kjo të respektohet nga politikanët dhe zyrtarët e lartë shtetëror në vend. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe unë personalisht jemi shumë të kufizuar në komunikimet dhe në kontaktet me politikanët që kanë aktakuza të ngritura nga institucionet e drejtësisë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, duke shtuar se është shumë me rëndësi që politikanët kosovarë duhet të tregojnë forcë dhe përgjegjësi që t’u binden këtyre parimeve.

E para e BE-së në Kosovë gjatë kësaj interviste ka thënë se drejtuesit e lartë evropianë e kanë bërë të qartë se janë dy kushte për heqjen e vizave për Kosovën: Demarkacioni dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ajo ka shtuar se BE-ja nuk propozon zgjidhjen për Demarkacionit, por kjo, sipas saj, duhet të zgjidhet midis Malit të Zi dhe Kosovës dhe kërkon që Marrëveshja sa më parë të votohet në Parlament. “Po e theksoj se për ne është me rëndësi rezultati përfundimtar. Duhet ta kemi Demarkacionin e votuar. Nëse të dyja vendet vendosin të bëjnë marrëveshje të ndryshme, kjo është çështje e tyre. Por, duhet të jeni të vetëdijshëm se pa një zgjidhje përfundimtare për Demarkacionin dhe të arriturat në luftën kundër korrupsionit Bashkimi Evropian nuk do ta marrë asnjë vendim politik për të hequr dorë nga këto dy kushtëzime”, ka thënë mes të tjerash Apostolova në intervistën për “Zërin”.

Pas 100 ditësh do ta vlerësoj punën e Qeverisë

Zëri: Z. Apostolova, Kuvendi i Kosovës javë më parë votoi Qeverinë e re, me në krye Ramush Haradinajn, gati tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend. Megjithatë, sipas asaj që u pa në seancën konstituive të Kuvendit, kjo Qeveri nuk është aspak stabile pasi i ka vetëm 61 vota. Cili është vlerësimi juaj për Qeverinë e re?

Apostolova: Qeveria sapo është votuar, kështu që BE-ja nuk do të donte ta jepte një vlerësim para se të shihnim se çfarë do të bënte dhe do të bëjë kjo Qeveri. Në të vërtetë, shqetësimi ynë më i madh është fakti se për më shumë se 3 muaj ka pasur një ngërç në jetën politike të Kosovës, nuk kishte Qeveri, nuk kishte Parlament funksional. Siç e dini, të gjithë themi se Kosova është në Evropë dhe ne të gjithë e nënvizojmë perspektiven evropiane të Kosovës, por në të njëjtën kohë duhet ta kemi parasysh se perspektiva evropiane në agjendën evropiane është në të vërtetë një agjendë reforme, që do të thotë se me qëllim që një vend të bëhet shtet anëtar, duhet t’u nënshtrohet reformave të shumta dhe të ndryshme. Këto reforma kohë pas kohe sigurisht që nuk janë shumë të popullarizuara. Ato janë reforma të ashpra, kështu që shqetësimi ynë ishte fakti se për 3 muaj nuk kishim institucione dhe po mbetemi prapa me shumë nga këto reforma. Për t'iu përgjigjur pyetjes suaj unë nuk do ta bëja ndonjë vlerësim tani, do t'ia ofroja një qeverie të tillë, le të themi, shansin për të performuar, ajo është zgjedhur, ajo është zgjedhur nga populli i Kosovës, kështu që tani duhet t’i shohim rezultatet e saj. Kryeministri paraqiti programin qeverisës dhe sigurisht që po e përcjellim atë me interes të madh, sepse është një dokument mjaft voluminoz, me 130 faqe dhe ne do ta shohim se cili do të jetë hapi i parë prioritar që Qeveria do ta ndërmarrë. Unë kam takuar tashmë ministrat më të rëndësishëm, si dhe natyrisht kryeministrin. Unë do të mundohem të them se do ta bëj vlerësimin pas një muaji ose më së voni pas 100 ditësh.

Pa votimin e Demarkacionit dhe pa luftimin e korrupsionit nuk hiqen vizat

Zëri: Qeverinë e re e presin sfida të mëdha, mes të cilave edhe miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit si kusht për liberalizimin e vizave me BE-në. A mund të ketë ndonjë zgjidhje alternative për Demarkacionin, pasi që kjo Qeveri nuk i ka 2/3 e votave në Kuvend për ta kaluar këtë Marrëveshje?

Apostolova: Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë dhe ka folur përmes nivelit më të lartë, le të themi përmes hierarkisë evropiane. Kemi thënë se jemi shumë të vendosur për faktin se janë dy kushtëzime për liberalizimin e vizave; njëri Demarkacioni dhe i dyti është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është një proces që duhet të vijojë. Pra, se si do të arrihet pajtimi rreth Demarkacionit, që është një Marrëveshje ndërmjet dy vendeve, Malit të Zi dhe Kosovës. Ne nuk jemi ata që do ta propozojmë zgjidhjen, ne kemi insistuar që Demarkacioni i kufirit të votohet sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi jemi këtu dhe po e shohim se sa e rëndësishme është për të rinjtë e këtij vendi. Sidoqoftë, se si Qeveria tani me këtë Parlament mbështetës do ta kalojë Ligjin e Demarkacionit kjo është puna e tyre. Pra, përsëri e theksoj se për ne është me rëndësi rezultati përfundimtar. Duhet ta kemi Demarkacionin e votuar. Nëse të dyja vendet vendosin të bëjnë marrëveshje të ndryshme kjo është çështje e tyre. Ne do ta pranojmë atë, por ata duhet të jenë të vetëdijshëm se pa një zgjidhje përfundimtare për Demarkacionin dhe për të arriturat në luftën kundër korrupsionit Bashkimi Evropian nuk do ta marrë asnjë vendim politik për të hequr dorë nga këto dy kushtëzime.

Zëri: Si do të duhej të zgjidhej kjo çështje mes dy vendeve?

Apostolova: Unë nuk mendoj se ne jemi ata që duhet të japim këshilla në lidhje me këtë. Siç thashë, kjo është një marrëveshje mes dy vendeve. E kam dëgjuar në takimin tim me kryeministrin se ai po e trajton me shumë kujdes këtë çështje, e kam dëgjuar edhe kur kam takuar ministrin e Jashtëm se e gjithë Qeveria për momentin është duke eksploruar mënyra të ndryshme dhe jam e sigurt se, sipas asaj që na është thënë, njëra nga vizitat e para të këtyre zyrtarëve do të jetë Mali i Zi, sepse ky është vendi ku çështja duhet të trajtohet.

Zëri: Kryeministri Haradinaj në fillim të mandatit e shkarkoi Komisionin për Demarkacion. A mendoni se formimi i një Komisioni të ri me në krye deputetin Bulliqi ishte hap i drejtë?

Apostolova: Unë nuk bëj një vlerësim për këtë, pa dyshim se z. Haradinaj ka një mendim shumë të fuqishëm për këtë, por gjithashtu ai është kryeministër i këtij vendi dhe ka përgjegjësinë të mendojë për interesin e Kosovës, ai gjithashtu tani po dëgjon nga të rinjtë rreth shqetësimeve të tyre. Siç e keni parë javëve të fundit, ka pasur edhe një sinjal tjetër shqetësues për largimin e njerëzve, të rinjtë që hipin në autobusë dhe largohen nga Kosova. Është pozitive që kjo nuk eskaloi me të vërtetë në një veprim të rrezikshëm apo diçka që është me të vërtetë serioze dhe që do ta kërcënonte çështjet e kufirit, por, sido që të jetë, z. Haradinaj tani duhet të mendojë si kryeministër dhe mandej t’i ketë në konsideratë interesat konkrete të subjekteve të ndryshme në Kuvend.

Arbitrazhi merr kohë

Zëri: A mund të hiqet ky kusht nga BE-ja nëse Marrëveshja për Demarkacionin dërgohet në Arbitrazh Ndërkombëtar?

Apostolova: Hierarkia jonë ka qenë shumë e qartë për këtë. Komisioni ka dhënë si parakusht Demarkacionin e Kufirit, i cili duhet të votohet nga të dyja parlamentet. Kështu që nëse të dyja palët vendosin të shkojnë për Arbitrazh, atëherë të dyja palët duhet të pajtohen me vendimin e këtij Arbitrazhi dhe natyrisht do të duhet kohë, sepse juristët që merren me të drejtën ndërkombëtare e dinë shumë mirë se kjo kërkon kohë, mund të zgjasë nga 2 deri në 5 vjet. Kemi parë kohët e fundit të njëjtën çështje, Arbitrazhin midis dy vendeve tona anëtare, kështu që unë mendoj se këta janë shembuj që politikanët duhet t’i kenë parasysh para se ta marrin një vendim përfundimtar.

Zëri: Marrëveshja e Atabilizim-Asociimit ishte Marrëveshja e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së. Si e keni parë ju zbatimin e kësaj Marrëveshjeje nga institucionet kosovare dhe a duhet të ndryshojë ritmi në përmbushjen e saj me Qeverinë e re?

Apostolova: Në të vërtetë MSA-ja është e vetmja marrëdhënie kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së dhe është sukses i rëndësishëm që pas shumë kohësh kemi arritur ta arrijmë MSA-në. Sigurisht, tani sfida më e madhe është zbatimi i MSA-së. MSA-ja është një dokument shumë voluminoz dhe i gjerë, i cili ka një veprim të brendshëm që mbulon brenda diçka të tillë me 600 faqe. Për ta bërë më të lehtë për Kosovën, për institucionet në Kosovë, kemi dalë me agjendën e reformave evropiane, e cila është një instrument për ta përshpejtuar zbatimin e MSA-së dhe për t'u përqendruar në veprimet më të rëndësishme, që lidhen me zhvillimi ekonomik të këtij vendi, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale për qytetarët e Kosovës. Agjenda e reformës evropiane përmban një numër më të vogël, të themi 20-25 dhe atje ne po shikojmë me shumë kujdes së bashku me ministrin e Integrimit Evropian dhe së bashku me Zyrën e Kryeministrit, sepse, siç e dini shumë mirë, shumë shpejt këtu do të ketë një vlerësim të asaj që Kosova në të vërtetë ka performuar gjatë këtij viti. Ndoshta është një ndryshim pozitiv që Brukseli e ka bërë tani se Raporti për Kosovën, që të duhej të prezantohej në fund të vitit, do të jetë për herë të parë i publikuar në prill të vitit të ardhshëm. Këto janë disa ndryshime në rregullat tona, sepse ne kemi vendosur ta lidhim raportin e progresit të vendeve në procesin e zgjerimit me Programin Evropian për Reforma, prandaj po ndjekim të njëjtën linjë kohore. Qeveria e Kosovës ka një shans tjetër që para prillit t’i përshpejtojë reformat dhe me të vërtetë të dëshmojë se ka vendosmëritë që këto reforma të jenë marrë parasysh për t'u zbatuar, sepse nëse shohim zbatimin e tyre, në këtë moment ka gjithashtu një dozë mjaft shqetësuese. Prandaj jemi plotësisht të angazhuar, ne do të punojmë me ministrat esencialë dhe me Zyrën e Kryeministrit, që me shpejtësi të përpiqemi t'i ndihmojmë ata që t’i shpijnë reformat në rrugën e duhur. Kjo do të pasqyrohet në Raportin e Progresit, i cili do të publikohet diku në prill të vitit 2018.

Zëri: Sa mendoni që kjo Qeveri do të jetë e suksesshme në luftimin e korrupsionit si kusht tjetër për heqjen e vizave kur në kabinetin qeveritar ka ministra nën hetime?

 Apostolova: Kam deklaruar në shumë raste dhe mendoj se jeni të gjithë të vetëdijshëm se sundimi i ligjit është prioriteti më i rëndësishëm për Bashkimin Evropian në Kosovë. Dhe këto nuk janë thjesht fjalë që unë dua t’i them, se për ne sundimi i ligjit është thelbësor, sepse ajo është baza për çdo zhvillim tjetër në vend. Sundimi i ligjit është i nevojshëm për zhvillimin ekonomik. Investimet nuk vijnë në vend, sepse janë disa skema nën hije, të cilat përsëri janë të lidhura me sundimin e ligjit. Kështu që gjithmonë kemi deklaruar se sundimi i ligjit do të jetë prioriteti ynë. Për shkak të sundimit të ligjit është jashtëzakonisht e rëndësishme që politikanët dhe zyrtarët e lartë ta respektojnë sundimin e ligjit, kështu që nëse kemi raste të tilla kur çështja gjyqësore nuk ka dalë me vendimin përfundimtar, nëse personi është fajtor ose jo, unë do të thosha se ne jemi gjithmonë të kufizuar në lidhje me komunikimet dhe kontaktet me njerëzit që janë të akuzuar dhe ne kemi ngritur zërin për këtë deri më tani. Ju ndoshta e mbani mend apo e keni parë se Zyra jonë dhe unë personalisht nuk jemi në komunikim me njerëz të akuzuar dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që politikanët të tregojnë forcë dhe përgjegjësi dhe gjithashtu t'u binden këtyre parimeve.

Opozita të jetë konstruktive

Zëri: Cilat janë pritjet tuaja për Qeverinë e re, e cila realisht ka një opozitë të fortë në Parlament?

Apostolova: Unë do të flas nga këndvështrimi i qytetares evropiane, ta kesh një opozitë të fortë është gjë e mirë, sepse opozita përbën konkurrencë për Qeverinë dhe për partitë në pushtet. Kështu që kjo konkurrencë, këto sfida që vijnë nga opozita juaj janë shumë të shëndetshme, që japin mendime të tjera për procese shumë të rëndësishme. Por, këtu gjithashtu dua të përmend se opozita juaj duhet të jetë konstruktive, sepse të qenit opozitë vetëm për të kundërshtuar politika të caktuara nuk është gjithashtu një qëndrim i përgjegjshëm dhe se unë nuk do t’i këshilloja partitë që janë tani në opozitë për ta marrë këtë qëndrim. Kam pasur tashmë takime me partitë opozitare dhe unë kam diskutuar pikërisht këtë, sepse numri i reformave që tani ky Kuvend duhet t’i miratojë përmes ligjeve ose Qeverisë, madje që duhet të shtyjë përpara, kanë nevojë për opozitën tuaj, pasi u nevojiten votat. Siç kemi diskutuar, këto reforma nuk janë të mira apo të këqija për këtë palë apo atë, ato janë të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kështu që qytetarët dhe popullata e Kosovës e meritojnë opozitën e përgjegjshme dhe deri më tani kemi marrë garanci nga të dyja partitë në opozitë, të cilat na kanë thënë se do të jenë konstruktivë. Por, le ta shohim pasi jemi në momentin e parë të punës së këtij Kuvendi dhe të kësaj Qeverie.

Zëri: Ditëve të fundit ka pasur lajme në medie për një valë të mundshme të emigrimit nga Kosova për në vende të ndryshme të BE-së. A keni informacione se a janë rritur kërkesat për azil së fundi nga qytetarët kosovarë në BE?

Apostolova: Kemi ndjekur këtë trend nga afër dhe ndoshta e dini se migrimi është për BE-në tani njëra nga shumë çështjet e rëndësishme dhe do të thosha një temë shumë e dhimbshme. Megjithatë, do të doja të them se autoritetet e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, kanë reaguar në mënyrë shumë të mirë. Natyrisht se ata kanë qenë të trajnuar mirë dhe vepruan konform përgjegjësive të tyre. Ministri i Integrimit Evropian, por edhe disa nga shtetet anëtare si: Hungaria, Gjermania e Austria, dhanë disa deklarata, duke thënë se azilkërkuesit në të vërtetë nuk mund të gjejnë strehim në Evropë, sepse Kosova konsiderohet vend i sigurt dhe është një vend i sigurt, kështu që nocioni i azilkërkuesve nuk pranohet në këtë moment në këto vende. Unë mendoj se situata është nën kontroll tani.

Zëri: Nëse ka fluks të ri të emigrimit a i humbin përfundimisht Kosovës shpresat për liberalizim të vizave, edhe nëse e kalon Marrëveshjen e Demarkacionit?

Apostolova: Unë nuk do t'i lidhja këto dy çështje. Sigurisht që është e rëndësishme, por do të thosha se emigracioni është më i lidhur me gjërat e tjera të rëndësishme për Kosovën, të cilat janë: zhvillimi ekonomik, sistemi i mirë arsimor dhe gjithashtu sundimi i ligjit. Sepse emigrantët, siç kemi parë, janë kryesisht të rinj. Këta njerëz dëshirojnë të qëndrojnë këtu, nëse ata kanë sigurisht ambientin e duhur për të gjetur punë dhe për t'u arsimuar mirë për të qenë një ditë konkurrues në tregun evropian. Kështu që nuk do ta lidhja domosdoshmërisht migrimin me liberalizimin e vizave, sepse për liberalizimin e vizave kemi dhënë shumë qartë dy kritere të mbetura; njëra është vota për Demarkacionin dhe tjetra është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, emigrimi është një shenjë tjetër, që është mjaft shqetësuese për ne dhe prapë theksoj reformat që ne po kërkojmë dhe për të cilat ne jemi shumë të angazhuar në këtë moment. Kështu që unë inkurajoj shumë këtë Qeveri që të punojë ngushtë me ne dhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë këtu për të ndihmuar sigurisht që këto trende të futen në reformat ekonomike në rrugën e duhur, sepse rinia e Kosovës e meriton këtë dhe mund t'ju them se angazhimi ynë për këtë është shumë substancial. Nuk është ajo që unë nuk dua ta theksoj përsëri, është e qartë se BE-ja është donatori më i madh, partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe unë e them BE-ja si mbështetësja më e madhe e Kosovës çdo vit jep 100 milionë euro. Vetëm dua të theksoj dhe ta tërheq vërejtjen se edhe në Evropë ka krizë, ka një krizë financiare, kështu që disa nga motrat dhe vëllezërit tonë atje nuk po bëjnë jetë të mirë. Pra, këta 100 milionë euro në vit janë një ndihmë shumë bujare. Kjo nuk është gjë pa vlerë, kjo nuk është bamirësi, është diçka shumë substanciale dhe Zyra ime këtu dhe unë gjatë viteve të ardhshme do të jemi jashtëzakonisht strikt se si ne disbursojmë këto para. Sepse nëse po japim këtu këtë mbështetje bujare, ne gjithashtu dëshirojmë që kjo mbështetje t’i ndjekë procedurat transparente evropiane dhe për këtë arsye sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, nepotizmi, mënyra transparente për ta bërë prokurimin, financimi i partive dhe të gjitha këto janë kaq të rëndësishme dhe të cilat i marrim afër zemrës dhe prandaj jemi aq të hapur, duke e ngritur zërin për këtë.

(Vijon në numrin e nesërm të “Zërit”)