Pal Lekaj i përgjigjet Jakup Krasniqit: Nuk i frikësohemi ultimatumeve

Aktuale September 20, 2017 - 20:44

Se nuk u rehatuan punët brenda koalicioni PANA kjo po shihet çdo ditë e më shumë. Nisma dhe anëtaret e saj po vazhdojnë zhurmën dhe vendosjen e ‘kushteve’ ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj.

Tani kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi në një intervistë në KTV i ka dhënë qeverisë Haradinaj ultimatum se nëse në 6 muajt e parë nuk e tregojë vetën, Nisma e prish koalicionin.

Lajmi.net ka kontaktuar me ministrin e Infrastrukturës nga AAK, Pal Lekaj, i cili ka thënë se nuk sheh asnjë ultimatum nga deklarata e Krasniqit.

“Ne e vlerësojmë çdo deklaratë të zyrtarëve të lartë, jemi të përkushtuar që mos ta masim kohën por jemi të përkushtuar që ta ndryshojmë gjendje në vend në mënyrë pozitive. Prandaj, nuk do të komentoja as një deklaratë të z.Krasniqit”, ka thënë Lekaj.

Këto deklarata të Krasniqit, Lekaj i quajti në një farë mënyre presion pozitivë, pasi sipas tij bëhen për ta ndyshuar gjendjen në vend.

“Ne jemi në koalicion, por mund të them se këto deklarata janë presion për ta ndryshuar sa më parë gjendjen në Kosovë, por mendoj se z. Haradinaj si kryeministër i Kosovës ka një casje të drejtë, një qasje me plotë vullnet për të ndryshuar gjendjen”, deklaroi ai.

Lekaj u shpreh i bindur se as në 100 ditësishin e as në 6 mujorin e qeverisjes së Haradianjt nuk do të ketë prishje të koalicionit për mos punë.

“Nuk do të vije ajo ditë kur do të prishte koalicioni apo që dikush mund të thotë se kaluan 100 ditë, kaluan 6 muaj dhe nuk pamë ndryshime, andaj ne jeni të përkushtuar të jemi në shërbim të vendit, në shërbim të qytetarëve ta ndryshojmë këtë gjendje”, u shpreh ai.

Më pas, ai tha, se nuk e sheh deklaratën e Krasniqit si ultimatum pasi ai duhet ta sqarojë në çfarë konteksti e ka thënën.

“Nuk shohë asnjë ultimatum nga z.Krasniqi dhe nuk i komentoj deklarata e tij, ai mund të deklarohet se çka ka dashtë me thënë, por ne vazhdojmë të punojmë. Qeveria është stabile andaj është e pakuptimtë të merremi me deklarata”, tha krejt në fund Lekaj i AAK-së.