Ky është numri i votuesve nga diaspora që do të votojnë në zgjedhjet lokale

Aktuale September 19, 2017 - 19:57

 

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillim të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Zgjedhjet lokale zhvillohen në 38 komuna gjithsej,  përderisa regjistrues për këto zgjedhje si edhe në zgjedhjet e kaluara janë edhe kosovarët që jetojnë jashtë vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar për “Indeksonline” një numër të madh të personave të cili kanë aplikuar për këtë garë. Derisa periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës është mbyllur me 23 gusht.

“Për rreth 40 ditë qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës kanë mundur të aplikojnë për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës”, ka thënë për Indeksonline, Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.

Përgjatë kësaj periudhe janë pranuar 12 mijë aplikacione për regjistrim.

“Shumica prej këtyre aplikimeve kanë ardhur përmes ndonjërës nga tre email-adresat e Shërbimit Votues. Prej tyre janë aprovuar 10 mijë e 476 aplikacione, kurse janë refuzuar 1 mijë e 337 të tjera”, thuhet ndër të tjerash nga Elezi.

Gjithashtu  Shërbimi i Votuesve tashmë ka konfirmuar të gjithë aplikuesit, të aprovuarit dhe të refuzuarit, lidhur me rezultatin e aplikimit të tyre.

Për të gjithë të regjistruarit e suksesshëm votimi do të jetë i mundshëm dhe do të fillojë brenda pak ditësh.

Po ashtu duhet përkujtuar që gjatë zgjedhjeve të kaluara apo atyre të përgjithshme në vend ishin pranuar mbi 20 mijë aplikacione.

“Gjatë periudhës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 11 qershor 2017, janë pranuar 20 mijë e 354 aplikacione për regjistrim. Prej tyre 15 mijë e 118 janë regjistruar si votues të suksesshëm, ndërsa 5 mijë e 236 aplikacione ishin refuzuar për arsye të ndryshme (shumica prej tyre nuk kishin plotësuar kriteret juridike për përfshirjen në Listën e Votuesve jashtë Kosovës), ka përfunduar Elezi