Halil Matoshi: Deklaratat antisemite të kandidatit të VV-së, të papranueshme

Aktuale September 19, 2017 - 15:26

​Të papranueshme dhe antisemite i quan Halil Matoshi, deklaratat për shfarosjen e Izraelit nga kandidati për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica i VV-së. Ky i fundit që është themelues i një organizate fetare, e ka shprehur lirshëm urrejtjen që e ka ndaj popullit izraelit. Reagime për këto deklarata ka pasur edhe nga Ambasada e Izraelit.

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, i ka quajtur të papranueshme dhe antisemite deklaratat e kandidatit për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, pasi ky i fundit përmes disa shkrimeve në Facebook, kërkoi shfarosjen e Izraelit.

Matoshi thotë se kjo është e paprecedentë në politikën kosovare dhe po ashtu e papranueshme për shoqërinë e vendit.

Në një prononcim për Gazetën Express, të martën, ish-analisti Halil Matoshi, aktualisht pjesë e kabinetit të Ramush Haradinajt, tha se ky rast duhet të prekë ndërgjegjen e tij dhe është partia e tij ajo që duhet të reagojë.

“Absolutisht ky pretendimi i Korenicës është i paprecedentë në politikën kosovare dhe si i tillë është deklaratë anti-Semite dhe e papranueshme për të gjitha institucionet e vendit dhe për tërë shoqërinë kosovare. Kjo le të mbetet në ndërgjegje të tij dhe në kompetenca të partisë se tij”, është shprehur Matoshi.

Visar Korenica që kandidon për kryetar të Rahovecit për zgjedhjet lokale, nga radhët e Vetëvendosjes, pas reagimeve të shumta kishte vendosur që postimet e tij të mos shihen nga publiku. Ai në profilin e tij në Facebook i ka fshehur postimet që i kishte të hapura kohë më parë.

“Qyqarë – Kombi juaj herët a vonë do të zhduket nga bota, ashtu siç ka ndodhur me të tjerët si ju”, ka shkruar Korenica, derisa ka shpërndarë një link nga gazeta “Haaretz”, në të cilën është dhënë lajmi se policia izraelite ka hedhur granata të gazit drejtë masës myslimane në afërsi të një xhamie në Jerusalem”, ishte postimi i Korenicës. E që më vonë kishte deklaruar se e kishte bërë nga emocionet./Express