LVV-ja: Do ta përkrahim çdo mocion për rrëzimin e kësaj Qeverie

Aktuale September 19, 2017 - 13:19

Propozimi i Zafir Berishës duket se i ka pëlqyer edhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Këta të fundit kanë thënë se do të përkrahim çfarëdo mocioni i cili mund të vijë në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, shkruan "Zeri.info".

“Unë dhe Lëvizja Vetëvendosje përkrahim çfarëdolloj mocioni i cili vjen për rrëzimin e qeverisë ‘Haradinaj’. Ne që nga fillimi nuk kemi qenë për një Qeveri me një numër kaq të vogël të votave, një Qeveri e cila realisht varet prej Listës Serbe”, ka thënë Mytaher Haskuka, deputet i kësaj partie.

Më tutje Haskuka ka shtuar se “Vetëvendosja” ka qenë kundër kësaj Qeverie qysh nga fillimi, pasi që ata nuk kanë paraqitur kurrfarë programi. Në fund Haskuka ka bërë edhe një parashikim për qeverinë “Haradinaj”.

Sipas tij, kjo Qeveri, e shumta, do ta ketë një vit qeverisje. “Unë edhe në fillim kur ishte formuar Qeveria pata thënë se kjo do të jetë Qeveria më e dobët që ka pasur Kosova ndonjëherë dhe jetëgjatësia e saj nuk besoj se do të shkojë më shumë se një vit”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për “Zërin” se të gjitha zhvillimet e fundit në vend do ta nxjerrin kurban vetë kryeministrin e ri të Kosovës.

“Numrat jostabilë dhe diferenca e vogël, por edhe i gjithë procesi paszgjedhor, kanë krijuar një situatë e cila potencialisht e nxjerr kurban z. Haradinaj”, ka thënë Abazi.

Më tutje Abazi ka shtuar se situata aktuale është shumë konfuze dhe pavarësisht faktit që kryeministri Haradinaj po tregon një energji tjetër të angazhimit, fatkeqësisht kjo do të jetë e vështirë për t’u përkthyer në agjendë qeverisëse.

“Sepse Qeveria është e bërë me copa dhe me numra të cilët janë të paqëndrueshëm. Sidomos varësia nga Lista Serbe e bën Qeverinë dhe angazhimin e saj të paqëndrueshëm, por edhe kultura e individëve që ta përdorin votën e tyre për pazare politike”, ka thënë tutje ai. Në fund ai ka folur edhe për një rezistencë të mundshme të opozitës. Sipas tij, megjithëse ekziston një opozitë e fortë, dallimet mes “Vetëvendosjes” dhe LDK-së megjithatë mbesin të mëdha. “Opozita është e fuqishme, por vështirë e konsoliduar meqë LDK-ja dhe “Vetëvendosje” kanë dallime shumë të mëdha. Përveç nëse janë të detyruara që ta kenë njëra-tjetrën në partneritet qeverisës, në pozita tjera e kanë shumë të vështirë bashkëpunimin”, ka përfunduar Abazi./Zeri/.