Krasniqi: Komisioni për matjen e territorit ishte pa mandat

Aktuale September 15, 2017 - 18:06

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar shkarkimin e Komisionit për matjen e territorit nga ana e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Sipas Krasniqit, ky komision ka qenë pa mandat dhe anëtarëve të tij, iu ka skaduar mandati.

“Komisioni ka qenë pa mandat. Anëtarëve të Komisionit nga ajo sa e di unë atyre iu ka skaduar mandati dhe është e drejta e Qeverisë që të zgjedhë anëtarët e Komisionit”, tha Krasniqi.

Këto komente Krasniqi i bëri në emisionin “Fakt Plus” në Tribuna Channel, ku shtoi se do të bëhet një punë e duhur për të përfundur procesin e ratifikimit të demarkacionit, i cili sipas tij, po lë pa viza qytetarët e Kosovës.

“Do të bëhet një punë e duhur për ta finalizuar procesin e demarkacionit që fatkeqësisht na ka lënë të izoluar mos kryerja e tij. Pra si kushtëzim për liberalizim të vizave”, tha Krasniqi në “Fakt Plus”.