Hoxhaj takohet me ambasadorin Delawie

Aktuale September 15, 2017 - 17:21

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot për takim zyrtar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Hoxhaj ka falënderuar ambasadorin Delawie për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, si dhe e ka njoftuar për zhvillimet politike në vend.

Hoxhaj dhe Delawie kanë diskutuar për prioritetet e qeverisë së re të Kosovës dhe angazhimet e ardhshme të kabinetit qeveritar në realizimin e planprogramit qeverisës.

Hoxhaj ka theksuar se vendi ka nevojë për shpejtësi dhe dinamikë të re të ecjes përpara.

“Kam pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie. Diskutuam prioritetet dhe planet e qeverisë së re të Kosovës dhe theksova se Kosova ka nevojë për një shpejtësi dhe dinamikë të re të ecjes përpara. Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme të ShBA-së për Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook” pas takimit.