Isufi: Kosova ta përmirësojë Demarkacionin me rinegoccim me Malin e Zi

Aktuale September 15, 2017 - 14:54

Florim Isufi, profesor në Departamentin e Gjeografisë në UP, njëherit kundërshtues i versionit aktual të demarkacionit, ka konsideruar se çështja e demarkacionit do të duhej të përfundonte qysh në pjesën e dytë të vitit 2015, po të kishte vullnet politik.

Megjithatë, Isufi është shprehur optimist se drejtuesi i ri i komisionit, Shpejtim Bulliqi, do ta kryejë punën si duhet, ndonëse siç thotë ai, ende nuk është bërë e qartë se si do të veprohet në këtë drejtim.

“Unë besoj në punën e Shpejtim Bulliqit edhe pse ende e kam të paqartë se çka po dëshirohet të arrihet me këtë komision, cilat janë detyrat e komisionit dhe çka do të prodhojë në funde puna e tij. Me siguri që profesori Shpejtim këto dilema do t’i shtjellojë në hollësi me kryeministrin, me të vetmin qëllim që të fitojë një dokument të besueshëm dhe të saktë”, ka deklaruar ai për "Zeri.info".

Ndërkohë, ka konsideruar se pala kosovare ta analizojë këtë marrëveshje dhe në pajtim me Malin e Zi ta përmirësojë këtë marrëveshje. 

“Mali i Zi duke shfrytëzuar dobësitë e palës kosovare arriti ta ratifikojë këtë version të demarkimit në parlamentin e tij, por pa ratifikim edhe në parlamentin e Kosovës kjo marrëveshje nuk prodhon efekt juridik. Për këtë arsye pala kosovare duhet sa më hollësisht ta analizojë këtë marrëveshje, t’i detektojë gabimet dhe të tentojë që me rinegociim me Malin e Zi të bëjë përmirësimet. Nëse jo, atëherë politika kosovare duhet të mendojë për veprimet e mëtejme”, ka potencuar Isufi./Zeri/.