'Demarkacioni të refuzohet me votë, ose të çohet në arbitrazh'

Aktuale September 15, 2017 - 13:02

Vigan Qorrolli, profesor i së drejtës ndërkombëtare, në një prononcim për Zërin ka vlerësuar se për t’i ofruar zgjidhje çështjes së demarkacionit, ekzistojnë dy skenarë.

Opsioni i parë sipas tij, ka të bëjë me atë, që versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit të hidhet në votim në kuvend, në mënyrë që të mos votohet dhe të rinisë negocimi me Malin e Zi.

“Kosova ndodhet para dy skenarëve, i pari është që marrëveshjen ekzistuese e nënshkruar nga dy qeveritë respektive duhet të refuzohet me votë në parlamentin e Kosovës, në mënyrë që t’i hapë rrugë negocimit të një marrëveshjeje të re, për shkak të një një fakti të vetëm, sepse  për Malin e Zi kjo marrëveshje është tashmë juridikisht e vlefshme dhe e ratifikuar në parlamentin e saj”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, Kosova nuk mund t’i ndërrojë rregullat në mënyrë të njëanshme, përkundrazi siç shprehet ai, duhen veprime konsensuale.

Ndërkaq, mundësia e dytë për të marrë zgjidhje për demarkacionin sipas profesorit universitar, ka të bëjë me dërgimin e kësaj marrëveshjeje në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Skenari i dytë lidhet me një  procedurë që mund të dërgohet në gjykatën permanente të arbitrazhit me seli në Hagë, ku  Kosova dhe Mali i Zi prapë duhet të pajtohen mes vete, t’i caktojnë arbitrazh, ta caktojnë afatin kohor brenda të cilit do të duhet të operojnë për t’i caktuar kufijtë e rinj dhe kjo mund të marrë jo më pak se gjashtë muaj, por jo më tepër se 10 muaj kohë”, ka shtuar ai gjatë bisedës.

Ndërkohë, sa iu përket raporteve mes Kosovës dhe Malit të Zi, Qorrolli ka thënë se ato nuk mund të cenohen po qe se ka vullnet nga të dyja shtetet për ta ofruar një zgjidhje.

“Nëse ka vullnet dhe gatishmëri politike, marrëdhëniet midis dy shteteve nuk mund  cenohen në asnjë mënyrë. Palët duhet të negociojnë për t’i zgjidhur  problemet e tyre, qoftë me mjete politike, qoftë me mjete juridike”, ka potencuar ai./Zeri/.