Kosova e Greqia mund të kenë konferenca të përbashkëta ekonomike

Aktuale September 15, 2017 - 11:29

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli është takuar me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou.

Pacolli ka thënë se Greqia është partner i rëndësishëm i Kosovës si dhe fqinj rajonal i saj.

“Vlerësojmë mbështetjen që Greqia ka dhënë dhe po jep në ndërtimin e perspektives euroatlantike të Kosovës” ka thënë Pacolli, duke rikonfirmuar se dy vendet trajtojnë reciprokisht relacionet me respekt dhe përkushtim të madh.

Në takim u diskutua edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve, sidomos në organizimin e konferencave të përbashkëta ekonomike.

Të dy shprehën angazhimin e përbashkët për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.