PDK deklarohet për ministrin Nenad Rikallo

Aktuale September 14, 2017 - 21:06

 

E kaluara e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, ka ngjallur reagime të shumta në vend. I njëjti është akuzuar se gjatë periudhës së luftës kishte torturuar disa banorë të Prishtinës, respektivisht ata të lagjes “Dardania” në Kurriz. Disa prej tyre kanë dalë edhe haptas në media duke akuzuar ministrin Rikallo për të bëmat e tij. Madje, ata u deklaruan se ministri në fjalë gjithmonë ecte i armatosur dhe me uniformë të paramilitarëve.

Pas gjithë këtyre deklarimeve , ka ardhur edhe reagim i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj. Sipas tij, institucionet përgjegjëse (Prokuroria, AKI-ja...) nuk i kanë dhënë asnjë informacion negativ për Rikallon dhe se i njëjti, sipas tij, nuk mund të shkarkohet.

Njëjtë mendohet edhe në Partinë Demokratike të Kosovës. Njëri prej figurave kryesore në këtë subjekt, Xhavit Haliti ka thënë për “Indeksonline” se çdo akuzë që bëhet ndaj dikujt duhet të mbështetet në fakte konkrete të cilat i vërteton Prokuroria dhe Gjyqësia në Kosovë.

Sipas tij, gjëra të tjera nuk janë fakte. “Në qoftë se argumentet të cilat edhe unë i kam dëgju mbrëmë në TV prokuroria i verifikon si krime lufte apo krime të cilës do natyrë atëherë edhe unë do të kërkoja që personi në fjalë mos të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, nënkryetari i Kuvendit thotë se duhet të mësohemi që për ta akuzuar dikën për krime duhet të ketë një mbështetje ligjore nga organet përgjegjëse.  

“Dëshmitarët mund të jenë ashtu-ashtu, por dëshmitarë ka shumë. Problemi është se për çdo prej tyre apo dëshmi duhet të jetë një institucion që ngarkon ndikënd dhe e verifikon akuzën”, ka thënë ai.