Kërkohet zhvarrosja e tri kufomave që dyshohet se vdiqën nga gazi në QKUK

Aktuale September 14, 2017 - 20:59

 

Tre presona që vdiqën para një jave në Kliniken e Kirurgjisë, do të zhvarrosen për t`u konstatuar shkaku i vdekjes së tyre.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore që ta bëjë këtë veprim pas dyshimeve që janë ngritur lidhur me këto vdekje që tash po cilësohen të dyshimta.

Kështu ka njoftuar përmes postës elektronike zëdhënësi i prokurorisë Ekrem Lutfiu.

I pyetur lidhur me hetimet në kompaninë e cila ka furnizuar SHSKUK-në me gaz medicional që disa vite, Lutfiu ka thënë se rasti është në hetim e sipër dhe në këtë fazë nuk mund të japin të dhëna tjera.

Dhe derisa hetimet vazhdojnë, kompania prej ku dyshohet se është prodhuar gazi medicional, nuk e ka ndalur punën.

RTK ka qenë në Kaçanik, atje ku ka bazën kompania e licencuar për importimin e gazit medicional. Me këtë rast nuk është vërejtur asnjë shenjë që lajmëron për funksionimin apo mos funksionimin e saj edhe pse dje inspektorati i shëndetësisë dhe ai I farmaceutikës në bashkëpunim me Policinë, kanë qenë në vend të ngjarjes.

Televizioni gjatë gjithë ditës ka provuar të marrë intervistë nga pronari i kompanisë, por ka qenë e pamundur Pavarësisht se nuk kemi arritur të marrim deklaratë nga pronari i kompanisë Naser Guri, Policia Rajonale e Ferizajt ka konfirmuar se ai është intervistuar nga njësia për krime ekonomike.

Ndërkaq, dje ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë për RTK-në se dyshohet se kompania e cila ishte e kontraktuar për import të gazit medicional, e ka prodhuar vetë atë, e cila ka shkaktuar reaksione te të paktën tetë pacientë, dhe disa vdekje.