LDK-ja ngushton Haradinajn: E mbështesim nëse kufiri është në Çakorr

Aktuale September 14, 2017 - 20:37

 

“Do ta mbështesim marrëveshjen e re të Demarkacionit nëse vija kufitare është në Çakorr dhe Kullë”. Kështu ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Ai ndër të tjera ka thënë se ky qëndrim politik është marrë në koordinim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

“Kemi qëndrim politik. Mustafa e ka cek që do e mbështesim Haradinajn nëse vjen me atë që kufiri i Kosovës me Malin e Zi të jetë në Kullë dhe Cakorre. Sepse ai territor dihet që është i yni”, është shprehur Kelmendi për Telegrafin.

I pyetur se në qeverisjen e kaluar, nëse partia e tij LDK e ka mbështet marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ai thotë:

“Në atë kohë s’janë pajtuar as gjysma e LDK-së. Një prej ekspertëve të LDK-së, Shpejtim Bulliqi ka arrit t’i bind kolegët e vet që kjo është e gabuar. Shpresojmë dhe besojmë që kjo të shkoj në kthimin e territoreve që po thuhet që janë të humbura”.

Ai po ashtu tha se edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka treguar që Demarkacioni është çështje e brendshme e Kosovës.