Shqipëria do të zbardhë shkakun e vdekjeve në QKUK

Aktuale September 14, 2017 - 08:20

Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), thotë se rezultatet e analizave të Institutit të Toksikologjisë në Tiranë do të zbardhin shkaktarin e dy vdekjeve të dyshimta, të cilat kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në sallat e Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Rezultatet e analizave të Institutit të Toksikologjisë në Tiranë do të zbardhin shkaktarin e dy vdekjeve të dyshimta, të cilat kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në sallat e Klinikës së Kirurgjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Me vendim të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) mostrat e gazrave që janë përdorur gjatë operacionit në Klinikën e Kirurgjisë janë dërguar për analizë në Shqipëri, pasi nga hulumtimet e bëra deri më tash ka rezultuar se faktori njeri dhe preparatet farmaceutike të përdorura gjatë operacionit kanë qenë shkaktarë të dy vdekjeve në sallën e Repartit të Kirurgjisë në QKUK.

Po ashtu edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka nisur t’i grumbullojë informacionet rreth rastit në fjalë. “Prokuroria është në fazën fillestare të grumbullimit të informatave dhe varësisht nga përmbajtja e tyre ne do t’i marrim veprimet e nevojshme”, tha për “Kallxo.com” Armend Hamiti, prokurori i cili po merret me këto raste.

Hamiti më tutje deklaroi se pas mbledhjes së informacioneve mund të pasojnë edhe veprime të tjera.

LEXO EDHE: Ambasada Gjermane: Kosovarët s’kanë gjasa për azil

“Hetuesit janë autorizuar dje për grumbullimin e informacionit dhe sapo të kemi pranuar një raport nga ata, do t’i ndërmarrim veprimet e tjera”, tha Hamiti.

Por në anën tjetër Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) thotë se në opinion ka pasur dezinformata se bëhet fjalë për katër vdekje të dyshimta në reparte të QKUK-së.

Por, sipas tij, për hir të vërtetës bëhet fjalë për dy vdekje të dy personave të moshës së shtyrë, mbi 70 vjeç, të cilët kanë qenë raste shumë të rënda të diagnostikuar me tumor.

 “Por, megjithatë, pasi që kemi marrë informacione se ka pasur disa indikatorë që mund të çojnë deri te vdekja e tyre, drejtori ka thirrur mbledhje urgjente dhe më pastaj ka krijuar disa komisione në kuadër të SHSKUK-së. Një komision është krijuar nga sektori i Farmacisë, të cilët kanë bërë një analizë të produkteve farmaceutike që janë përdorur gjatë operacionit dhe pas analizimit të tyre është konstatuar se të gjitha produktet farmaceutike kanë qenë në rregull”, ka thënë Veseli për gazetën Zëri.

Sipas tij, komisioni i dytë është ai për Shërbime Teknike, i cili ka pasur për obligim ta bëjë analizën e furnizimit me gazra medicinale.

Veseli thotë se nga komisioni në fjalë ende nuk kanë marrë një raport përfundimtar, pasi të gjitha bombolat që kanë qenë gjatë përdorimit janë dërguar në karantinë.

Veseli më tutje sqaron se drejtori ka marrë një vendim që të merren mostrat dhe të dërgohen për analizë në laboratorin toksikologjik në Shqipëri, pasi laborator të tillë nuk ka vendi ynë.

“Po ashtu këtu është e përfshirë edhe Ministria e Mjedisit, e cila është duke analizuar dhe duke verifikuar ambientin në të cilin kanë qenë të vendosura gazrat medicinale, pastaj është edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila do t’i shikojë bombolat nën presion që janë përdorur në sallë të operacionit. Gjithashtu edhe Policia është duke u marrë me rastin në fjalë”, ka thënë Veseli.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, thotë se në bazë të informacioneve që ka marrë rreth dy vdekjeve të dyshimta në QKUK ka formuar një komision të pavarur, i cili do ta hulumtojë në tërësi rastin.

“Ata kanë nisur punën dhe deri më tash ne nuk kemi ndonjë raport final për të mësuar se çfarë ka ndodhur. Ekzistojnë dyshime, por derisa nuk kemi ndonjë raport final ne nuk mund të tregojmë se çka ka ndodhur në të vërtetë aty”, ka thënë Ismajli për gazetën “Zëri”.

Po ashtu edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës me shqetësim e ka pritur lajmin e vdekjes së pacientëve në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK.

FSSHK-ja kërkon nga autoritetet përgjegjëse që sa më parë të zbardhet rasti i vdekjes së tyre në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet, të cilat po raportohen nga burime të ndryshme anonime.

“Institucionet spitalore janë vende ku trajtohen, shërohen me mijëra pacientë, por ndodhin edhe vdekje për të cilat nuk mund të ngrihen paragjykime e spekulime, prandaj duhet të pritet vlerësimi përfundimtar nga ana e zyrtarëve përgjegjës, të ngarkuar për rastin konkret nga ana e Drejtorisë së SHSKUK-së. Mënyra se siç po trajtohet rasti,  por edhe rastet e tjera deri më tani ngjallin frikë te popullata e gjerë, andaj lusim autoritetet përgjegjëse që të jenë vigjilente në dhënien e informacionit, sepse me këtë po dëmtohet rëndë besueshmëria, profesionalizmi dhe dinjiteti i punëtorëve shëndetësorë, por edhe i QKUK-së”, thuhet në deklaratën e FSSHK-së.