Ambasada e Gjermanisë jep një lajm të keq për kosovarët

Aktuale September 14, 2017 - 08:12

Zyrtarë të Ambasadës Gjermane në Prishtinë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nuk kanë vërejtur rritje të kërkesave për azil në Gjermani nga shtetasit e Kosovës. Sipas tyre, këta të fundit nuk kanë gjasa për azil, ku 99 për qind të kërkesave refuzohen si të pabaza

Në Gjermani javëve të fundit nuk janë rritur kërkesat për azil nga shtetasit e Kosovës.

Kështu kanë deklaruar për gazetënZëri zyrtarë të Ambasadës Gjermane në Prishtinë pas raportimeve të medieve se qytetarë të shumtë po udhëtojnë nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për në Beograd për t’ia mësyrë më pas ilegalisht kufirit me Hungarinë.

Sipas zyrtarëve të Ambasadës, në Gjermani kërkesat për azil nga nënshtetasit e Kosovës nuk kanë mundësi për pranim dhe rreth 99 për qind e tyre refuzohen si “dukshëm të pabaza”.

LEXO EDHE: Qeveria 'Haradinaj', një batalion zëvendësministrash

“Në Gjermani kërkesat për azil nga nënshtetasit e Kosovës faktikisht nuk kanë gjasa për pranim dhe rreth 99 për qind e tyre refuzohen si ‘dukshëm të pabaza’. Përjashtim përbëjnë vetëm raste të rralla, të cilat njihen jo në kuadër të azilkërkimit, por si mbrojtje subsidiare dhe janë raste të ndihmës emergjente humanitare (2010-2017 gjithsej vetëm 56 persona)”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane për Zërin”, duke shtuar më tej se Republika e Kosovës konsiderohet si vend i sigurt i origjinës.

“Sipas bindjes së qeverisë gjermane, në Kosovë nuk ka përndjekje politike, gjë që është e domosdoshme për një kërkesë të suksesshme për azil”.

Nga Ambasada Gjermane theksohet se kthimi i detyrueshëm pas refuzimit të kërkesës për azil parashtruesve u shkakton shpenzime të larta (rreth 3.000 euro), të cilat i ngarkohen të riatdhesuarit nga ana e shtetit gjerman. 

“Përveç kësaj, personave, kërkesat e të cilëve refuzohen si ‘dukshëm të pabaza’ u ndalohet hyrja dhe qëndrimi në të gjitha shtetet anëtare të zonës Shengen. Parashtruesit e refuzuar kthehen menjëherë në Kosovë në rast se nuk e bëjnë vullnetarisht një gjë të tillë”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Ambasadës.

Për liberalizimin e vizave shteti gjerman konsideron se edhe më tej vlejnë kriteret e përcaktuara nga BE-ja, të cilat Kosova duhet t’i përmbushë.

“Nga këto ende nuk është përmbushur si kusht ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, sepse Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar akoma. Kështu, personat të cilët marrin një ndalesë hyrjeje dhe qëndrimi do të mundë të udhëtojnë në shtetet Shengen në rast të liberalizimit të vizave në të ardhmen tek pas skadimit të ndalimit të hyrjes”.

Eksodi rrezikon procesin integrues

Profesori i Shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka thënë se krahas flukseve të refugjatëve nga vendet e ndryshme që kanë ikur nga lufta një sfidë të madhe për BE-në në vitet 2014-15 ka shkaktuar edhe Kosova.

“Ky eksod i ka shkaktuar dëme mjaft të mëdha Kosovës, duke lënduar njashtu edhe procesin e saj integrues, kjo përpos që Kosovën e vë në pozitë të vështirë, ku nga vendet e BE-së, edhe pse Kosova është klasifikuar si vend i sigurt, interpretohet vazhdimisht si vend me potencial të madh për të riprodhuar flukse të tjera refugjatësh”.

Andaj, sipas tij, çdo interpretim i tillë nga vendet e BE-së Kosovës ia vështirëson procesin e saj integrues.

“Çka do të thotë se vendet anëtare të BE-së hezitojnë të marrin vendime në institucionet politike brenda Unionit Evropian në favor të liberalizimit apo për ta hapur rrugën e politikave për zgjerim. Edhe përpos që brenda institucioneve të Unionit Evropian aktualisht nuk ka një relaks apo vullnet politik për të vazhduar me politikat e zgjerimit, e them këtë gjithmonë duke u bazuar në sfidat që po kalojnë vendet anëtare të kësaj organizate dhe këto si argumente sfiduese që po shfrytëzohen zakonisht nga euroskeptikët kundrejt BE-së”.

Ismajli thotë se edhe më të vështirë e bën çështjen kur herë pas here BE-ja alarmohet se vendet e Ballkanit, duke mos anashkaluar këtu as Kosovën, po përjeton kriza institucionale, si dhe nuk po tregohen të afta për ta ndërtuar shtetin e së drejtës, për ta rritur zhvillimin ekonomik dhe luftimin e dukurive negative brenda shoqërisë.

“Unë mendoj se çdo hezitim nga institucionet politike në Kosovë për t’i përmbushur kriteret sipas standardeve evropiane jep sinjale negative dhe alarmon BE-në për flukse të reja të mundshme, gjë që e bëjnë BE-në të pasigurt dhe rrisin njëkohësisht edhe mosvullnetin politik për të marrë vendime brenda institucioneve politike në favor të procesit integrues për Kosovën”, thotë ai për “Zërin”.

Rifillojnë linjat Prishtinë- Beograd

Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku, ka thënë dje për “Zërin” se linjat e autobusëve për në Beograd nuk kanë qenë të ndërprera të gjitha.

Ai ka thënë se linjat e ndërprera të orëve të mbrëmjes janë lëshuar që nga marta në mbrëmje. Çitaku ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur probleme me linjat për në Beograd.

“Nuk jam kompetent të them kush, por ka qenë e dukshme se linjat e ngarkuara për në Beograd gjatë disa ditëve në mbrëmje ishin të orkestruara”. Çitaku ka thënë për gazetën se linjat tjera gjatë ditës kanë funksionuar normalisht për në Beograd. Dhe, sipas tij, kanë funksionuar si gjithnjë.

“Tani që kemi në funksion dhe oraret e mbrëmjes, sikurse mbrëmë që rifilluam, nuk ka pasur asnjë udhëtar që ka pasur për synim ikjen nga vendi...”.  

Përndryshe, që nga e premtja janë anuluar të gjitha nisjet në relacionin Prishtinë – Beograd.

Vendimi është ndërmarrë pas raportimeve për ikjen e qytetarëve jashtë vendit përmes rrugëve ilegale Serbi-Hungari.

Ikja e qytetarëve kosovarë jashtë vendit përmes linjës së autobusëve për në Beograd, të cilët kanë për synim më pas Hungarinë që të depërtojnë në njërin nga vendet e BE-së, ka çuar në anulimin e kësaj linje.