Aktuale

Qeveria 'Haradinaj', një batalion zëvendësministrash

Qeveria 'Haradinaj', një batalion zëvendësministrash
14 shtator 2017 • 08 : 04 • autori: Arlinda Kqiku Foto: Driton Bublaku

Qeveria “Haradinaj”, e cila i ka 21 ministri, pritet “të rehatohet” edhe me rreth 50 zëvendësministra, duke tejkaluar kështu për nga madhësia shumicën e qeverive në rajon.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, sipas marrëveshjes së koalicionit, PDK-së së Kadri Veselit i takojnë rreth 20 pozita të zëvendësministrave, ARK-së shtatë, AAK-së gjashtë, Nismës pesë zëvendësministra në Qeveri, ndërsa të tjerët i takojnë përfaqësuesve të minoriteteve.

Megjithatë, zyrtarët e PDK-së dhe të AAK-së nuk preferojnë të flasin për numrin e zëvendësministrave që do t’i ketë Qeveria e re, pas reagimeve të shumta në opinion për madhësinë e ekzekutivit.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, ka deklaruar për Zërinse nuk e di sa zëvendësministra do t’i ketë qeveria “Haradinaj” e as kush do të jenë ata.

LEXO EDHE: Ndarja e PAN-it, për beneficione në Parlament

Ndërsa Muharrem Nitaj, nga AAK-ja, ka thënë se nuk është vendosur ende për këtë çështje, ndonëse në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit zyrtarë të AKR-së kishin deklaruar se në Qeverinë e re do t’i drejtojnë katër ministri, si dhe do t’i kenë shtatë zëvendësministra.

Në anën tjetër drejtues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) thonë se një qeveri e tillë me shumë poste ministrash e zëvendësministrash do të jetë barrë e rëndë për buxhetin e varfër të vendit.

Majlinda Kurti, nga ky Institut, thotë se nuk është për Kosovën e patjetërsueshme të ketë numrin aq të madh të ministrive, për shkak të numrit të vogël të banorëve.

“Kosova me numrin e banorëve që ka nuk ka nevojë të ketë aq shumë ministri, nëpër të cilat do të dërgohen zëvendësministrat, këshilltarët dhe stafi tjetër administrativ”, ka thënë Kurti.

Sipas saj, Qeveria e kaluar i ka shpenzuar rreth 6 milionë euro për pagat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve dhe stafit tjetër administrativ gjatë tre vjetëve.

Ajo ka kërkuar që të procedohet në Kuvend Ligji për Qeverinë, me të cilin parashihet struktura dhe përbërja e kabinetit qeveritar.

Ndërsa profesori universitar Dashnim Ismajli vlerëson se Kosova është shteti me numrin më të madh të ministrive në rajon.

“Kosova është shteti me numrin më të madh të ministrave e zyrtarëve të tjerë në rajon dhe më gjerë. Unë e shoh me rezervë se këto ministri janë të rëndësishme dhe të nevojshme për rrethanat që gjendet shteti i Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe analisti politik, Blerim Burjani, thotë se Kosova duhet t’i ketë maksimalisht 10, ndërsa një numër prej 21 ministrive për një vend kaq të vogël përbën “zhvatje” të buxhetit.

“Kosova duhet t’i ketë 10 ministri në maksimum. Numri i madh i ministrave me një territor të vogël dhe me numër të banorëve 1.7 milion është absurd”, u shpreh Burjani.

Sipas tij, zëvendësministrat nuk kanë asnjë rol as politik, as administrativ sepse një gjë e tillë nuk u përcaktohet atyre me Rregullore.

“Zëvendësministrat nuk kanë asnjë rol as politik e as administrativ, sepse nuk ka rregullore që atyre u ofron kompetenca dhe obligime përveç kur ministri dëshiron të angazhojë ngjashëm si këshilltarët politikë. Këta si zëvendësministra edhe zëvendëskryeministra janë të kotë, ata nuk kanë obligime fare”, përfundoi Burjani.

 

© zëri.info