Ndarja e PAN-it, për beneficione në Parlament

Aktuale September 14, 2017 - 07:56

Analistët politikë vlerësojnë se ndarja e subjekteve përbërëse të PAN-it në grupe të veçanta parlamentare është bërë me qëllim që të marrin më shumë privilegje, rrjedhimisht më shumë anëtarë në komisione, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Partitë e koalicionit PAN pritet të funksionojnë të ndara tash pas konstituimit të institucioneve.

Nisma për Kosovën tashmë ka bërë të ditur se do të veprojë si grup i vetëm parlamentar, ndërkohë që edhe AAK-ja pritet ta bëjë të njëjtën gjë.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e këtyre subjekteve janë shprehur të bindur se një ndarje e tillë nuk do të paraqesë problem në lidhjet e koalicionit. Madje, sipas tyre, ky veprim as nuk e lëkund e as nuk e zbeh bashkëpunimin me partnerët brenda PAN-it, shkruan tutje "Zëri".

Nga ana tjetër, njohësit e legjislativit konsiderojnë se ndarja e subjekteve përbërëse të PAN-it në grupe të veçanta parlamentare është bërë me qëllim që të përfitojnë sa më shumë pozita.

Kjo ngase, siç thonë ata, si grupe të ndara partitë arrijnë të marrin më shumë privilegje, rrjedhimisht më shumë anëtarë nëpër komisionet parlamentare.

Megjithëkëtë, meqë këto subjekte janë ndarë pas konstituimit të Kuvendit nuk do ta gëzojnë të drejtën të kenë nënkryetarë të Kuvendit.

Haliti: Formimi i grupeve parlamentare s’do të thotë se koalicioni ka probleme

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se partitë politike, të cilat janë në koalicion, kanë të drejtë t’i formojnë grupet e tyre parlamentare. Por këto ndarje nuk pengojnë në raportet mes koalicionit.

“Aktualisht janë pa grup parlamentar dhe nuk mund të krijojnë grup parlamentar deri në certifikimin e deputetëve të rinj nga presidenti i Kosovës, i cili momentalisht është në vizitë zyrtare në SHBA. Besoj që me kthimin e presidentit ata do ta konsolidojnë grupin e tyre parlamentar. Por konsolidimi i grupeve parlamentare nuk do të thotë se koalicioni ka probleme mes vete dhe ka filluar çarja e koalicionit”, ka deklaruar ai për “Zërin”. 

Megjithëkëtë, Haliti ka konsideruar se grupet e vogla parlamentare nuk duhet të jenë pjesë e të gjitha komisioneve parlamentare.

“Unë mendoj se praktika e deritanishme që grupet e vogla parlamentare të jenë pjesë e të gjitha komisioneve parlamentare duhet të përfundojë. Një deputet në Parlamentin e  Kosovës ka të drejtë të jetë në dy komisione më së shumti dhe ky rregull duhet të zbatohet”, ka shtuar Haliti.  

Kadriaj: Ne si grup dëshirojmë ta mbikëqyrim çdo dikaster

Ndërkaq deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se arsyeja pse AAK-ja dëshiron që të ndahet nga koalicioni PAN dhe të qëndrojë më vete si grup parlamentar ka të bëjë me atë që ta mbikëqyrë më mirë punën e ministrive.

“Ne si grup dëshirojmë ta mbikëqyrim secilin dikaster ministror, në mënyrë që të kërkojmë llogaridhënie për punën e bërë nga dikasteret ministrore. Ne prapë jemi në bashkëpunim pa asnjë problem dhe kjo s’e lëkund e as nuk e zbeh bashkëpunimin dhe koordinimin”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kadriaj madje ka konsideruar se ndarja në grupe parlamentare nuk e dëmton fare koalicionin PAN.

Ndërkaq edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, tashmë ka bërë të ditur se Nisma është ndarë nga PAN-i për të vazhduar tutje si grup i vetëm parlamentar. 

“Rruga jonë parlamentare do të vazhdojë e ndarë nga PAN-i. Do të kemi qëndrime të përbashkëta, po edhe të ndara. Prej sot do të jemi edhe pozitë, edhe opozitë. Çdo propozim, çdo iniciativë që shkon në interes të vendit do ta ketë mbështetjen e Nismës, në krye me Bilall Sherifin”, ka deklaruar ai para pak ditësh.

Cakolli: Me ndarjen në grupe parlamentare partitë marrin më shumë beneficione

Nga ana tjetër Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), njohës i punës së legjislativit, ka thënë se ndarja e grupeve parlamentare të partnerëve të PAN-it është bërë me qëllim të përfitimit të disa beneficioneve që u takojnë sipas Rregullores së Kuvendit.

“Ndarja e PAN-it në disa grupe parlamentare është bërë me qëllim të përfitimit të disa privilegjeve që parashihen edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Grupeve parlamentare u sigurohen hapësira për funksionim, u mundësohet angazhimi i stafit politik dhe përfitime të tjera. Pra, me ndarjen në disa grupe parlamentare subjektet përfitojnë më shumë beneficione, të cilat do të duhej të ndahen me anëtarët tjerë të koalicionit”, ka bërë të ditur ai për “Zërin”.

Cakolli më tej ka thënë se grupet parlamentare përfitojnë në kuadër të komisioneve aq sa kanë deputetë.

“Në lidhje me komisionet parlamentare përbërja e tyre reflekton fuqinë e grupeve parlamentare, pra të grupeve të cilat formohen pas konstituimit, Nisma, AAK-ja dhe të gjitha grupet parlamentare që mund të krijohen dhe të përfaqësohen në komisione. Ndarja e komisioneve bëhet sipas metodës së njëjtë të shpërndarjes së ulëseve të deputetëve”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ka bërë të ditur se as AAK-ja e as Nisma nuk do të mundë të marrin pozitë të nënkryetarit në Kuvend meqë një mundësi e tillë ekziston vetëm në momentin kur konstituohet Kuvendi.

Abazi: AAK-ja e Nisma do të dëmtoheshin në zgjedhjet lokale po të qëndronin në PAN

Kurse njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, ka konsideruar se AAK-ja dhe Nisma do të pësonin në zgjedhjet lokale po që se do të qëndronin në koalicion me PDK-në dhe nuk do t’i formonin grupet parlamentare.

“Në anën tjetër të medaljes Nisma, por edhe AAK-ja do të dëmtoheshin në nivelin lokal dhe në zgjedhjet komunale nëse do të vazhdonin të dërgonin sinjale sikur janë shkrirë (kushtimisht thënë në PAN), që rrjedhimisht në logjikën e votuesit do të thotë se PDK-ja do të ishte forca determinuese”, ka deklaruar Abazi.

Ndërkaq politologu Ramush Tahiri, ka vlerësuar se ndarja e partive të koalicionit PAN në grupe parlamentare po bëhet me synimin e vetëm që partitë të fitojnë sa më shumë pushtet.

“Ndarja bëhet pikërisht tash për të marrë më shumë pushtet dhe pozita në Kuvend, tani kur do të ndahen komisionet parlamentare që nuk u bënë në mbledhjen konstituive”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkohë analisti politik Dimal Basha, ka thënë se partitë brenda PAN-it do të kenë më shumë pavarësi si grupe të veçanta parlamentare.

“E para, kjo ndarje tregon se Kosova sot gëzon një qeveri principatash, ku secili komandant kërkon ta ruajë pavarësinë e tij në menaxhimin e dikastereve dhe e dyta, ndarja gjithashtu krijon hapësirë për më shumë pjesëmarrje në komisionet parlamentare që përkthehen në fuqi dhe në të hyra për secilin deputet”, ka deklaruar Basha.