‘Kalkulimet e AAK-së dhe Nismës’ ia humbën AAK-së një deputetë

Aktuale September 13, 2017 - 17:34

Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj e ka humbur një deputet në Kuvend, pasi vetë ai është zëvendësuar me deputetin e PDK-së, Nait Hasani. Sipas legjislacionit në fuqi, deputeti që merr poste në qeveri, e humb automatikisht mandatin e deputetit.

Por për këtë çështje ditë më parë kishte paralajmëruar anëtari i AAK-së, Muharrem Nitaj. Ai kishte fajësuar partnerët e koalicionit (PDK-Nisma) se ishin duke kalkuluar për t’ia humbasin AAK-së një deputet në tavolinë

“Veç AAK i ka caktuar ministrat dy dite para seancës! Partneret tjerë, ende janë duke kalkuluar. Nuk e di se çka do te ndodhe deri ne fund, por nuk është e ndershme nëse AAK-se do t’i merret një deputet ne tavoline”, kishte shkruar Nitaj katër ditë më parë.

Humbje të deputetëve ka pësuar edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit, ku ky i fundit është zëvendësuar me një deputet të LDK-së. Kjo për shkak se AKR dhe LDK kanë pasur koalicion parazgjedhor dhe KQZ-ja ende e njeh si të tillë.

Ndryshime ka pasur edhe te partitë tjera. Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën u zëvendësua me deputetin e PDK-së, Fadil Beka. Limaj është zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj.

Por humbja e Nismës u kompensua shumë shpejt, pasi deputeti i saj Enver Hoti do ta zëvendësojë zëvendëskryeministrin e PDK-së, Enver Hoxhaj./Insajderi.com