Zyra e Kryeministrit: Haradinaj kërkon profesionalizëm nga gazetarët

Aktuale September 13, 2017 - 16:24

Zyra e Kryeministrit ka reaguar pas polemikës së kryeministrit Haradinaj dhe gazetares së Ekonomia Online e ku i pari i ekzekutivit u rekomandoi gazetarëve që të mësojnë gjuhën angleze.

Ata e kanë konsideruar këtë apel të Haradinajt si kërkesë për profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë.

“Na vjen keq nëse dikush, nga mosdija apo qëllimisht, ka bërë cilësime të pasakta të kësaj natyre. Kryeministri Hardinaj dhe kabineti i tij e kanë filluar punën duke qenë më të hapur se cilado Qeveri e mëparshme ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe kështu do të jetë deri në fund të mandatit”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në njoftim thuhet poashtu se transparenca jonë duhet të jetë e mjaftueshme që gazetarë dhe media të caktuara poashtu të jenë korrekte dhe profesionale në raport me Kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë e tij.